Policia shpall në kërkim Edon Bytyqin, dyshohet për 14 vepra penale

23.10.2025

Policia e Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar për disa raste mashtrimi në rajonin e Mitrovicës, i cili tashmë është shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Mitrovicën e Jugut, pas hetimeve të zhvilluara, kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin që ka kryer dy raste mashtrimi, ndërsa dyshohet se më herët ka qenë i përfshirë edhe në së paku 14 vepra të tjera penale të ngjashme në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Identifikimi është bërë në bashkëpunim me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) dhe me asistimin e autoriteteve kompetente të Bosnjës dhe Hercegovinës.

I dyshuari, Edon (Hisen) Bytyqi, i lindur më 26 korrik 1990 në fshatin Arllat, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se aktualisht ndodhet në territorin e Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas policisë, Bytyqi përmes paraqitjes së rreme dhe duke përdorur emra të personave publikë dhe zyrtarë, ka mashtruar qytetarët për t’i dërguar para përmes institucioneve të transfereve financiare. Për këtë arsye, hetuesit kanë paraqitur Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ndërsa ai është shpallur në kërkim në mungesë.

Duke marrë parasysh se i dyshuari ka edhe urdhër-arreste aktive për vepra të mëhershme penale dhe mund të lëvizë në shtetet e rajonit, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Policia apelon tek qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe për çdo dyshim të njoftojnë autoritetet përmes:
192, +383 28 532 363, [email protected] apo aplikacioni: Lajmëro Policinë.