Sipas njoftimit, këto informacione po dërgohen në formë dokumentesh të ashtuquajtura “THIRRJE GJYQËSORE”, me numra referues të fabrikuar dhe të paraqitur si të lëshuara nga stafi i lartë menaxhues i PK-së.
Në këto e-maile, mashtruesit po përdorin emrat dhe logot e institucioneve të ndryshme, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, Byronë Federale të Hetimeve (FBI), Policinë Kombëtare të Krimit Kibernetik, Interpol-in, si dhe vetë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
PK thekson qartë se këto NUK janë dokumente zyrtare, as të lëshuara dhe as të miratuara nga ndonjë zyrtar brenda institucionit. Përkundrazi, bëhet fjalë për e-maile të falsifikuara, të përgatitura me qëllime të caktuara mashtruese.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive. Njësitet kompetente policore janë angazhuar për të identifikuar dhe zbuluar autorët e kësaj vepre penale, e cila përbën rrezik serioz për sigurinë kibernetike dhe mund të shkaktojë pasoja për qytetarët që bien pre e këtyre mashtrimeve.
Po ashtu, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos besojnë e-mail-eve të tilla të dyshimta. Çdokush që pranon një dokument të tillë të rremë, kërkohet që ta raportojë menjëherë në adresën zyrtare të institucionit:
📩 [email protected]
Policia apelon për vigjilencë dhe bashkëpunim të qytetarëve, në mënyrë që këto raste të trajtohen me efikasitet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.