Delegacioni kosovar u përfaqësua nga z. Reshat Murseli, Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), si dhe tre anëtarë të ekipit të tij hetimor. Pjesëmarrja e tyre u mundësua falë mbështetjes së Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnim në Hetimet Penale (DOJ-ICITAP), ekipit të DEA-s në Athinë, si dhe në partneritet të ngushtë me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Me temën “Uniteti Global për një të Ardhme më të Sigurt: Forcimi i Aleancave Kundër Krimit Transnacional”, konferenca mblodhi përfaqësues nga mbi 130 shtete. Diskutimet u përqendruan në sfidat globale që lidhen me drogat sintetike, qarkullimin e paligjshëm financiar dhe rreziqet e krimit të organizuar ndërkombëtar.

Delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi një takim të veçantë me Administratorin e DEA-s, z. Terrance Cole, ku u vlerësua profesionalizmi dhe roli gjithnjë e më i rëndësishëm i institucioneve të sigurisë kosovare në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar. Të dy palët riafirmuan angazhimin për të forcuar partneritetin në luftën kundër narkotikëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar.

Gjatë tre ditëve të konferencës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës morën pjesë në diskutime të hapura me agjenci të ndryshme ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. Ata shqyrtuan mundësitë për të thelluar bashkëpunimin në fushat e shkëmbimit të informatave, ndarjes së praktikave më të mira dhe zhvillimit të operacioneve të përbashkëta në luftën kundër trafikimit të drogës.

Në fund të konferencës, Policia e Kosovës shprehu mirënjohje të thellë për DOJ-ICITAP, INL dhe Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë thelbësore në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale.