Policia e Kosovës intensifikon kontrollet në kuadër të planit ROADPOL – 6,873 gjoba për tejkalim shpejtësie
Policia e Kosovës ka përfunduar me sukses aktivitetet në kuadër të planit evropian ROADPOL për muajin prill 2025, me fokus te kontrolli i shpejtësisë.
Gjatë periudhës 7-13 prill, në të gjithë territorin e vendit është shtuar prezenca policore dhe janë intensifikuar kontrollet rrugore me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj jave janë vendosur gjithsej 2,272 pika kontrolli dhe janë kontrolluar 13,509 automjete. Si rezultat i shkeljeve të evidentuara, policia ka shqiptuar 6,873 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve për parregullsi të ndryshme, me theks të veçantë për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
Një ndër rastet më shqetësuese të shënuara gjatë operacionit ishte identifikimi i një automjeti që po lëvizte me shpejtësi prej 241 km/h në një zonë ku kufiri i lejuar ishte 100 km/h.
Policia e Kosovës rithekson rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit dhe apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me qëllim ruajtjen e jetës dhe parandalimin e aksidenteve.