Sistemi është zhvilluar në kuadër të projektit “Përmirësimi i Qeverisjes së Migrimit përmes Programimit të Bazuar në Dëshmi”, i financuar nga Konfederata Zvicerane përmes SEM dhe i implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).
BIS paraqet një platformë të avancuar që mundëson regjistrimin, ruajtjen dhe verifikimin e sigurt të të dhënave biometrike, duke e bërë procesin më efikas, më të shpejtë dhe më të besueshëm. Ky sistem pritet të sjellë rritje të ndjeshme të digjitalizimit në institucionet e sigurisë dhe migrimit, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e qarkullimit ndërinstitucional të informacionit dhe në mbrojtjen e grupeve më të cenueshme të shoqërisë.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje të veçantë për Mbretërinë e Zvicrës, konkretisht për SEM-in, si dhe për IOM-in për mbështetjen e vazhdueshme profesionale dhe teknike gjatë zbatimit të projektit.
Policia thekson se mbetet e përkushtuar në modernizimin e shërbimeve, rritjen e efikasitetit operacional dhe forcimin e mekanizmave të sigurisë dhe menaxhimit të migrimit, duke vazhduar të punojë në shërbim të qytetarëve dhe komuniteteve të Kosovës.