Arrestohen dy persona në Prishtinë, kapen me marihuanë, kokainë dhe bimë kanabisi
Policia e Kosovës ka arrestuar të premten në Fushë Kosovë dy burra, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “blerja, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e substancave narkotike”.
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar për trafikim me lëndë narkotike në Prishtinë, pas një aksioni të zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë.
Operacioni policor ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave të dyshuara narkotike, si dhe mjeteve që shërbejnë për shpërndarjen e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, janë konfiskuar:
- 1.68 kilogramë substancë e dyshuar marihuanë,
- 13 gramë substancë e dyshuar kokainë,
- 5 bimë kanabisi me gjatësi nga 10 deri në 30 cm,
- Një peshore digjitale,
- Dy telefona celularë,
- Qindra qese plastike për paketim të drogës,
- Dhe 740 euro para të gatshme.
Të dy të dyshuarit, të identifikuar si M.I. (2002) dhe M.I. (1997), të dy shtetas kosovarë, janë arrestuar dhe ndaj tyre është iniciuar rast për “blerje, shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope dhe analoge” si dhe “kultivim i bimëve narkotike”.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit kujdestar, të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për rastin po vazhdojnë dhe se angazhimi kundër narkotikëve mbetet prioritet në funksion të sigurisë publike dhe shëndetit të qytetarëve.
