Mbi 212 mijë gjoba trafiku këtë vit në rajonin e Prishtinës, 15% më shumë se në 2023

30.12.2024

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani, ka publikuar të dhëna mbi punën dhe statistikat për vitin 2024, duke theksuar disa përparime të rëndësishme në luftimin e shkeljeve të trafikut, kriminalitetit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.

Gjatë vitit 2024, Policia e Kosovës ka shqiptuar rreth 212.000 gjoba për shkelje në trafik, një rritje prej 15% krahasuar me vitin 2023, kur u raportuan 185.000 gjoba. Sipas Shabanit, kjo rritje mund të ketë ndikuar në uljen e aksidenteve rrugore.

“Shkeljet janë të ndryshme, por ajo që vlen të theksohet është rënia e konfiskimit të patentë-shoferëve për shkak të ngasjes në gjendje të dehur. Vozitësit nën ndikimin e alkoolit janë më të paktë, megjithëse shpejtësia vazhdon të jetë faktori kryesor i aksidenteve,” tha Shabani në një emision të KTV-së.

Rritje e Konfiskimit të Armëve

Lufta kundër kriminalitetit ka shënuar rezultate të rëndësishme, duke përfshirë konfiskimin e 658 armëve, një rritje prej 44% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje është atribuar kryesisht bashkëpunimit me qytetarët, të cilët janë treguar më bashkëpunues në raportimin e rasteve.

“Janë konfiskuar armë të shumta edhe gjatë ahengjeve familjare. Kjo dëshmon përkushtimin tonë dhe angazhimin e qytetarëve për të reduktuar qarkullimin e armëve,” theksoi Shabani.

Masat në Shkolla Kundër Lëndëve Narkotike

Një tjetër prioritet i policisë rajonale ka qenë luftimi i qarkullimit të lëndëve narkotike në shkolla. Drejtoria ka organizuar ligjërata parandaluese në mbi 400 shkolla, me pjesëmarrjen e 25.000 nxënësve, si dhe ka rritur prezencën e zyrtarëve policorë përreth institucioneve arsimore.

“Sasia e drogës e gjetur në shkolla është e vogël, por mbetet shqetësuese. Prezenca jonë e shtuar synon të parandalojë çdo lloj rreziku për nxënësit,” deklaroi ai.

Plani për Natën e Vitit të Ri

Duke folur për masat e sigurisë për natën e ndërrimit të viteve, Shabani siguroi se do të ketë numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.