Mashtrime me “donacione”: Policia fton viktimat të paraqiten – tre persona të dyshuar, njëri zyrtar mikrofinanciar
Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike për të gjithë qytetarët që ndihen të mashtruar nga tre persona të dyshuar, të paraqiten në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHEKEK), për të dhënë deklaratë si palë të dëmtuara.
Sipas njoftimit zyrtar, të tre të dyshuarit – me inicialet R.D., V.G. dhe A.H. – janë arrestuar më 10 qershor 2025 nën dyshimin për mashtrim të dhjetë grave, ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut, të cilave u kishin premtuar donacione për integrim në shoqëri. Në realitet, ato kishin nënshkruar kontrata kredie në vlerë nga 4,500 deri në 5,000 euro në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë.
Sipas hetimeve:
- R.D., i dyshuar kryesor, ka identifikuar dhe shoqëruar viktimat drejt institucionit mikrofinanciar.
- V.G., zyrtar në atë institucion, ka përpiluar dosjet dhe kontratat.
- A.H., menaxher në të njëjtin institucion, ka aprovuar kreditë.
Pas aprovimit të kredive dhe transferimit të parave në llogaritë bankare të viktimave, R.D. i ka shoqëruar në banka për tërheqje, duke u dhënë nga 500 euro secilës, ndërsa pjesa tjetër e parave është marrë në emër të pagesave për “zyrtarët që e kanë kryer shërbimin”.
Mashtrimi është zbuluar vetëm kur institucioni mikrofinanciar ka kërkuar pagesën e kësteve nga viktimat, të cilat besonin se kishin përfituar donacione, jo kredi.
Deri më tani janë intervistuar 10 persona të dëmtuar, ndërsa vlera e dëmit llogaritet të jetë rreth 45 mijë euro. Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë po hetojnë nëse numri i viktimave është më i madh, prandaj ftojnë të gjithë qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar në mënyrë të ngjashme, të paraqiten në DHEKEK.
Nga masa e ndërmarrë deri tani:
- R.D. dhe V.G. janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit.
- A.H. është liruar në procedurë të rregullt.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë dhe në bashkërendim të plotë me organet e hetuesisë. Policia apelon për kujdes ndaj individëve apo grupeve që premtojnë ndihma financiare, duke kërkuar vëmendje të shtuar për të shmangur raste të tilla mashtrimi.