Marrëveshje bashkëpunimi mes UP-së dhe policisë për zhvillim profesional

23.10.2025

Me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, Policia e Kosovës ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Prof. Dr. Isak Shabani.

Ky bashkëpunim synon rritjen e shkëmbimit të përvojave akademike dhe praktike, si dhe krijimin e mundësive të reja për arsimim, trajnime profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e sigurisë publike dhe arsimit të lartë.

Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj për të mbështetur pjesëtarët e saj në avancimin profesional dhe ngritjen e nivelit të tyre të ekspertizës, duke përfituar nga ekspertiza akademike dhe teknologjike e Universitetit të Prishtinës.

Ky hap i rëndësishëm vjen në përputhje me angazhimin për të zhvilluar më tej kapacitetet njerëzore dhe teknologjike që do të forcojnë sigurinë dhe profesionalizmin në Policinë e Kosovës.