Kultivimi i kanabisit, policia arreston një të dyshuar dhe sekuestron provat në Prizren

11.07.2026

Një person është arrestuar në Prizren, pasi dyshohet se kultivonte bimë narkotike të llojit kanabis.

Kultivimi i kanabisit, policia arreston një të dyshuar dhe sekuestron provat në Prizren Foto: Ilustrim

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 10 korrik 2026, rreth orës 09:00, në rrugën “Jusuf Gërvalla”. Pas zbatimit të një urdhërkontrolli të lëshuar nga gjykata, njësitë policore kanë kontrolluar shtëpinë, autolarjen dhe automjetin e të dyshuarit.

Gjatë kontrollit në oborrin e shtëpisë janë gjetur dy bimë të llojit kanabis, me gjatësi 50 dhe 62 centimetra, si dhe një peshore elektronike, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.