“Kosova me nivelin më të ulët të krimit dhe aksidenteve fatale në rajon”

13.11.2025

Në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, më 10 nëntor, është publikuar raporti Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025, i cili e rendit Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky indeks mat përhapjen e krimit të organizuar dhe aftësinë e shteteve për t’iu rezistuar këtyre fenomeneve, duke përfshirë fusha si trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore, krimi kibernetik, si dhe efikasitetin e institucioneve në zbatimin e ligjit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Raporti, i publikuar nga organizata Global Initiative Against Transnational Organized Crime, analizon 15 tregje kriminale, 5 lloje aktorësh kriminalë dhe 12 blloqe të qëndrueshmërisë, ndërsa për vitin 2025, Kosova është vlerësuar me 4.85 pikë në një shkallë nga 1 deri në 10 – duke u renditur si vendi me nivelin më të ulët të krimit në rajon.

“Një kontribuues kyç dhe i veçantë në arritjen e këtyre rezultateve pozitive është Policia e Kosovës me lidershipin dhe zyrtarët e saj, e cila përmes planeve zhvillimore strategjike dhe objektivave të veçanta në luftimin e të gjitha formave të krimit, ka rritur të ketë rezultate të theksuara ndër vite,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Rezultate pozitive edhe në sigurinë rrugore

Përveç suksesit në luftimin e krimit, sipas raportit të Transport Community, të publikuar më 12 nëntor 2025 me të dhëna nga viti 2024, Kosova ka pasur numrin më të ulët të viktimave për një milion banorë në aksidente fatale, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, përmes zbatimit të planeve operacionale, fushatave sensibilizuese dhe aktiviteteve policore në fushën e trafikut, Policia e Kosovës ka arritur rezultate të theksuara në rritjen e sigurisë rrugore.

Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar për të forcuar sigurinë publike, parandaluar krimin dhe ngritur besimin qytetar në institucionet e rendit dhe ligjit.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në rritjen e mëtejme të sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale në nivel vendi,” thuhet në fund të njoftimit zyrtar.