Kërkohej për vjedhje të rëndë, ekstradohet 27-vjeçari nga Gjermania në Kosovë

24.07.2025

Policia e Kosovës ka realizuar me sukses një operacion ndërkombëtar ekstradimi, duke mundësuar rikthimin në vend të një shtetasi të kërkuar për vepra penale.

Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, mbrëmjen e djeshme është bërë pranim-dorëzimi i shtetasit L.M., mashkull, 27 vjeç, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

I dyshuari është ekstraduar nga autoritetet gjermane, në bazë të një urdhërese aktive të lëshuar nga organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale “Vjedhje e rëndë”, për të cilën është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim.

Operacioni është zhvilluar nga njësia për menaxhimin e urdhëresave – arrestimeve, në koordinim me autoritetet gjermane dhe pa asnjë incident. Pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme ligjore, personi është shoqëruar dhe dorëzuar në qendrën e paraburgimit në Hajvali, për të vijuar vuajtjen e dënimit të shqiptuar.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, me qëllim të kapjes së personave të kërkuar dhe zbatimit të urdhëresave gjyqësore, si pjesë e përpjekjeve për garantimin e sigurisë publike dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.