Hoxha: Mund të priten arrestime të reja për sulmin terrorist në ‘Ibër-Lepenc’
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se hetimet lidhur me sulmin e fundit terrorist në kanalin e ujit ‘Ibër-Lepenc’ po vazhdojnë me intensitet të lartë dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të reja.
Hoxha theksoi se Policia e Kosovës po analizon çdo informacion dhe është e gatshme të ndërmarrë veprime shtesë bazuar në zhvillimet hetimore. “Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë. Varësisht nga hetimet, mund të ketë bastisje dhe arrestime të reja,” tha ai.
Pas sulmit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut, situata në veri të vendit vazhdon të mbetet e brishtë. Sulmet e njëpasnjëshme nga grupet kriminale në katër komunat veriore, veçanërisht ndaj infrastrukturës kritike, kanë detyruar Policinë e Kosovës të shtojë masat e sigurisë.
Aktualisht, nuk ka indikacione për sulme të reja, por Hoxha ka shprehur gatishmërinë e forcave të sigurisë për të ndërhyrë në çdo rast. “Shpresojmë të mos kemi sulme, por në qoftë se ka, ne jemi aty për t’iu përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit,” shtoi ai.
Në kuadër të përpjekjeve për garantimin e sigurisë, Policia e Kosovës ka rritur bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare në vend. Hoxha konfirmoi se EULEX-i është i pranishëm gjatë bastisjeve që kryhen në veri, ndërsa KFOR-i monitoron situatën përgjatë kufijve dhe kanalit të ‘Ibër-Lepencit’. Ky bashkëpunim synon të sigurojë një mjedis të qetë dhe të parandalojë sulme të mundshme.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për J.V., i dyshuari i dytë në lidhje me sulmin terrorist në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë.