Goditet tentativa për kontrabandë nga Shqipëria në Kosovë, arrestohet një shtetas kosovar
Policia Kufitare në pikën Qafë Prush ka parandaluar një rast kontrabande, duke arrestuar një shtetas kosovar dhe sekuestruar mallrat që po tentoheshin të kontrabandoheshin në Kosovë, përmes kufirit të gjelbër.
Gjatë kontrolleve të intensifikuara bazuar në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan një kamionçinë të drejtuar nga shtetasi B. Gj., 46 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën mallra ushqimore pa dokumentacion të rregullt, të cilat i dyshuari po përpiqej t’i nxirrte nga Shqipëria jashtë procedurave doganore, përmes një rruge të paligjshme kufitare.
Në përfundim të hetimeve, Seksioni për Hetimin e Krimeve në DVKM Kukës arrestoi në flagrancë drejtuesin e kamionçinës, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksioni i Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Policia Kufitare njofton se kontrollet dhe masat e rrepta për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë në pikat kufitare do të vijojnë me intensitet të lartë.