Gjobitet shoferi i autobusit për tejkalim të rrezikshëm, ndalohet edhe një shofer tjetër

09.10.2025

Policia e Kosovës, përmes Njësisë së Trafikut Rajonal në Pejë, ka njoftuar se ka ndërmarrë masa ndaj dy kundërvajtësve të rregullave të komunikacionit, të cilët janë hasur duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

Në njërin nga rastet, vozitësi i një autobusi është gjobitur pasi është kapur duke bërë tejkalim në vijë të plotë, një veprim i rrezikshëm që ka vënë në rrezik pasagjerët dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Ndaj këtij kundërvajtësi janë ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ndërsa pronarit të kompanisë së transportit i është proceduar kundërvajtja me postë, pasi nuk është paraqitur në njësinë e komunikacionit.

Në një rast tjetër, një shofer tjetër është kapur duke qarkulluar me automjet në rrugë, ndonëse kishte ndalesë të vlefshme për qarkullim. Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar:

  • Gjobë prej 500 eurosh,
  • si dhe vazhdimi i masës mbrojtëse për gjashtë muaj.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë me masa parandaluese dhe ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që cenojnë sigurinë në rrugë, me qëllim të uljes së aksidenteve dhe respektimit të ligjit për rregullat në komunikacion.