Gara ilegale në Prizren, dy shoferë gjobiten me nga 400 euro dhe ndalohen 10 muaj nga drejtimi

08.09.2026

Dy shoferë janë ndaluar nga Policia e Kosovës pasi u kapën duke zhvilluar gara ilegale të shpejtësisë në rrugën “Ukshin Hoti” në Prizren.

Rasti ka ndodhur më 6 shtator, rreth orës 03:47, gjatë patrullimit të Njësive Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren.

Sipas Policisë, dy automjetet u hasën duke zhvilluar gara shpejtësie dhe të dy ngasësit u ndaluan menjëherë. Ndaj tyre janë shqiptuar masat ligjore për kundërvajtjet e shkaktuara.

Secili prej tyre është gjobitur me 400 euro, i janë shqiptuar 4 pikë negative dhe 10 muaj ndalim i drejtimit të automjetit.

Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme që mund të rrezikojnë jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.