Dy policë nën hetime pasi dyshohet se kanë shtënë me armë në një lokal, IPK reagon për incidentin

01.11.2025

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë nisur veprimet hetimore pas një incidenti që dyshohet të ketë ndodhur dje në një lokal në fshatin Rigjevë të Komunës së Klinës.

Sipas njoftimit të IPK-së, nga hetimet e para dyshohet se dy zyrtarë policorë kanë shtënë me një armë, e cila dyshohet të mos ketë qenë armë zyrtare. Në bazë të provave të gjetura në vendngjarje, të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Përdorim i armës.”

Ndërkohë, lidhur me rastin, IPK ka rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor të Stacionit Policor të Klinës, i cili dyshohet se në cilësinë e pronarit të lokalit ku ndodhi incidenti ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së. Sipas hetimeve fillestare, ai dyshohet se ka ndikuar në zhvillimin e procedurave hetimore dhe në mbledhjen e provave, duke u bërë kështu i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas veprës penale.”

Hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë kompetente, kanë bërë të ditur se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit.