Letër LDK-së, nga një gabim i vogël në një gabim të madh…

Shkruan – Xhemajl Kolgeci

Të nderur liderë të këtij subjekti politikë! Në këto momente kur njerëzit janë të brengosur nga kjo gjendje pandemie, ju shtua edhe një shqetësim i cili assesi nuk duhej të kishte ndodhur!

Pse të shkohet nga një gabim i vogël në një gabim aq të madh i cili përfshin e prek të gjithë qytetarët tanë, të pafajshëm. Ju(të dy partitë) jeni votuar me një entuziazëm e dëshirë të madhe për të bërë ndryshimin pas 20 vitesh keqqeverisje. Pritjet e qytetarëve ishin të mëdha. Puna e qeverisë filloi ashtu siç pritej me një përkushtim e qasje serioze duke filluar nga sanimet me angazhime e aktivitete të përditshme.

Ne, qytetarët u bëmë sy e vesh duke e përcjellë punën tuaj premtuese. Pas disa ditësh filluan të na shqetësonin kundërthëniet brenda qeverisë rreth tarifës. Ju të nderuar anëtarë të kryesisë(me përjashtime) të LDK- së edhe pse me program plotësisht të harmonizuar filluat të mos e përfillni( tejkaloni) atë duke bërë presion mbi kryeministrin për heqjen e menjëhershme të tarifës dhe atë pa kushte, në kundërshtim me harmonizimin.

Një gjë të tillë e kërkonte edhe një pjesë e opozitës, ndërkaq pjesa tjetër kërkonte mos heqjen e tarifës (edhe me kërcënime). Pse u krijua ky lëmsh e këto mosmarrëveshje!? Pse ju, (partneri koalicionit) ndryshuat harmonizimin qeverisës në këtë pikë. Heqja ishte në procedurë dhe e afatizuar.

Pse ishte ky nxitim aq i madh, i pakuptueshëm dhe mjaft i habitshëm. Pse heshtët ndaj kualifikimit verbal dhe të qëllimshëm të fjalës “antiamerikanizëm” ndaj kryeministrit tuaj dhe të gjithë Kosovës? Pse nuk e pati këtë etiketim dhe këtë presion ish-kryeministri Haradinaj i cili e mbajti për një vit tarifën?! Ka edhe “pse” të tjera… Dhe erdhi momenti që ju të bëni mocion për qeverinë tuaj, njësoj siç bëri PDK-ë në qeverisje me ju, por ata e bënë pas dy vite e gjysmë e ju pas një muaj e gjysmë. Gabimi i juaj edhe më i rëndë. VV-ja nuk ju ka rrahur as vrarë. Janë shumica të rinj entuziastë.

Ju LDK-ë(jo të gjithë) i zhgënjyet votuesit të cilët votuan për ndryshimin. Ju lutem lexoni komentet në FB dhe do të shihni kundërshtimet dhe zhgënjimet e qytetarëve. Ju lutëm dëgjojeni rrapëllimën e enëve në ballkonet e shtëpive të qytetarëve! Rrapëllimë edhe më e madhe është në zemrat e qytetarëve në gjithë Kosovën, sidomos tek ata që ju votuan juve. Si mundet që për një individ të shkarkohet qeveria e shtetit e cila filloi të punojë ditë e natë për të mirën e qytetarëve?! A qenka më i rëndësishëm një individ se sa 430 mijë votues që ju votuan (LVV e LDK).

Dëgjojeni zërin e qytetarëve tuaj! Largojeni subjektivizmin nga vetja juaj! Dëgjojeni njeriun më legjitim nga radhët e partisë suaj që mori më së shumti vota, jo vetëm tani por edhe në zgjedhjet e kaluara, Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju lutemi që t’i largoni inatet e mllefet e të gjykoni me logjikë e mendje të ftohtë.

Kjo lutje e madhe është edhe e të gjithë atyre qytetarëve të thjeshtë që janë shumicë që nuk kanë pasur asnjë përfitim partiak. Lus edhe kryeministrin që më mos të bëjë gabime të tilla, të ngutshme, e t’i përmbahet marrëveshjes! Populli gabimet e vogla edhe i falë por të mëdhatë kurrë jo!

Mbes me shpresë se letra ka rënë në sy e vesh njerëzor. Me respekt; Qytetari i Kosovës Xh.K!