LDK e Suharekës përballë dy doktorëve!

30.04.2019

Shkruan: Herolind Bytyçi – satirist Partia më e vjetër në vend dhe ajo që kishte udhëhequr me Komunën e Suharekës afro dy dekada, LDK-ja tashmë ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, proces ky që parashihet që të sjellë ndryshime në të gjitha strukturat e kësaj partie. Edhe pse në Suharekë procesi i brendshëm zgjedhor, të […]

LDK e Suharekës përballë dy doktorëve! Foto: Ilustrim

Shkruan: Herolind Bytyçi – satirist

Partia më e vjetër në vend dhe ajo që kishte udhëhequr me Komunën e Suharekës afro dy dekada, LDK-ja tashmë ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, proces ky që parashihet që të sjellë ndryshime në të gjitha strukturat e kësaj partie.

Edhe pse në Suharekë procesi i brendshëm zgjedhor, të paktën zyrtarisht nuk ka filluar kandidaturat e mundshme për të parin e LDK-së kanë filluar të proklamohen nëpër qarqe të ndryshme politike.

Kandidaturën e tij “gandiste” siç duket e ka shpallur Dr.Ardian Shala, kur them gandiste e them për faktin se për dallim nga të tjerët Shala siç duket po punon në heshtje dhe me hapa të sigurt duke i kushtuar kujdesin maksimal çdo detaji si të bisedave ashtu edhe të vendosshmërisë së tij për të qenë i rezervuar me deklarimet lidhur me ambiciet e tij për të parin e kësaj partie.

Edhe pse është për tu habitur informacionet e para tregojnë se është Dr.Sali Asllanaj ai që do ti hyjë garës për të parin e LDK-së. Nga zgjedhjet e mëparshme me Sali Asllanaj të paktën kemi mësuar dhe kemi krijuar përshtypjen se vendimin për të parin e partisë e merr ad-hoc, duke mos krijuar dhe duke mos lënë përshtypje se do ti nënshtrohej procesit zgjedhor.

Të analizosh peshën politike ndërmjet dy fytyrave kyçe të LDK-së në Suharekë, atë të Sali Asllanajt dhe Ardian Shalës dhe të nxjerrësh një rezultat sado të përafërt se cili do të jetë ai që do të udhëheqë me këtë subjekt është paksa e vështirë.

Në njërën anë është Sali Asllanaj, ai i cili për shumë mandate e ka mbajtur pozitën e kryetarit të Komunës së Suharekës, bastion ky tejet i rëndësishëm i LDK-së. Asllanaj në momente të caktuara pavarësisht “burokracisë” ka treguar lëvizje taktike të cilat e kanë dërguar në fitore LDK-në në Suharekë.

Në anën tjetër është Ardian Shala, ambiciet e të cilit për të parin e LDK-së duket se datojnë që nga zgjedhjet qendrore të vitit 2014 ku Shala kishte sfiduar veten për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, por mbi 7000 vota nuk i mjaftuan që të ulet në karriken e deputetit. Ky rezultat siç duket ka qenë një matje tejet interesante për elektoratin e Ardian Shalës.

Sali Asllanaj aktualisht kryetari i degës së LDK-së, ish-kryetar i Komunës së Suharekës, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, 11 vite kryetar i Komunës përballë një kandidature të formatit tjetër. Asllanaj sipas matjeve dhe sondazheve pavarësisht paragjykimeve prapë mbetet lider me peshë sidomos te qytetarët e moshave madhore, atyre mbi 40 vjet.

Në anën tjetër Ardian Shala një figurë politike që po ashtu bart një bagazh dhe një pëlqyeshmëri sidomos te mosha rinore, një kandidat që në vete do të sjellte një ndryshim të politikbërjes dhe organizimit të brendshëm partiak. Ndryshim ky që për LDK-në mund të jetë “thikë me dy teha”!

Kjo për faktin se LDK është peshë e rëndë për tu udhëhequr duke i marrur parasysh bindjet e kuadrave të vjetër të LDK-së për një figurë të re si dhe faktin që në zgjedhjet e ardhshme Ardian Shala do të gjendej (hipotetikisht) përballë një kundër kandidati me “karroceri” tejet të rëndë dhe tejet dinamik siç është kryetari aktual nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj.

Duke mos e harruar edhe kreytarin e sapo zgjedhur të PDK-së, Ramë Vataj i cili me rikthimin e tij në krye të PDK-së, mendoj se vetëm se e ka nxehur garën edhe më shumë.

Pra cili do që të jetë kryetari i ardhshëm i LDK-së mendoj dhe besoj që delegatët e kësaj partie do ta kenë parasysh finalen e madhe, do ta kenë parasysh se me çka dhe me kënd duhet të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme, se cila do të jetë figura më eminente që do të mund ti mundësonte LDK-së rimarrjen e Suharekës.

Të krijosh këso parashikime nuk është pragmatike por është tejet realiste dhe do analizë dhe zgjuarësi për të nxjerrur një figurë që do të mund ti bëjë ballë një profesori si Ramë Vataj dhe një “karrocerie” të rëndë si Bali Muharremaj.

Andaj se cilit doktor do ti besojnë delegatët e LDK-së për ta ruajtur “shëndetin” e tyre politik dhe për të arritur rezultat me “shërim” të plotë duke rikthyer Suharekën si bastion të tyre mbetet të shihet brenda pak javësh.