08.05.2019, 14:16

Komandant Drini, ti ishe dhe shkove faqe bardh, hijenat që të vranë – ja nxinë faqen Kosovës

Shkruan: Haki Latifi

Familja e të ndjerit, sot qëndron e fortë dhe ndihet krenare që kishte një personalitet të tillë të pathyeshëm siq ishte Komandant Ekrem Rexha-Drini.

Ndërsa tek qytetarët kjo ishte një vrasje e rëndë, e cila për fat të keq, edhe sot pas 19 vjetësh, mbetet e pa zbardhur dhe e pa hulumtuar, ashtu siç kanë mbetur edhe vrasje të tjera të kësaj natyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Sot kujtojmë veprën dhe heroizmin e njërit prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexhës, i njohur si Komandant Drini. Ai, ishte luftëtari dhe komandanti i UÇK-së, që i shpëtoi burgut dhe plumbit të serbit para dhe gjatë luftës, por që nuk i shpëtoi dot plumbit të krimit të pasluftës.

Falë udhëheqjes vetëmohuese të Ekrem Rexhës, luftëtarëve të tjerë të lirisë dhe në koordinim me NATO-n, Prizreni u bë qyteti i parë i çliruar në Kosovë.

Ekrem Rexha-Komandant Drini, ishte një ushtarak profesionist, një poliglot dhe një intelektual me njohuri poliedrike. Ai ka lindur në vitin 1961 në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Pas mbarimit të shkollimit fillor në Prizren, është regjistruar në Gjimnazin ushtarak në Beograd. Kurse Akademinë ushtarake-në gjininë e këmbësorisë e ka kryer në Sarajevë. Për aftësitë e larta profesionale të treguara gjatë gjithë studimeve, atje ndalet ligjërues për kadetët e rinj. Drini, kërkimet në botën e shkencës nuk i ka ndalur me kaq. Ai në vitin 1988 pati regjistruar studimet postdiplomike në lëminë e shkencave politike (marrëdhëniet ndërkombëtare). Vrasja e Ekrem Rexhës-komandant Drinit, ka ndodhur, më 8 maj 2000, në orët e para të mëngjesit.

Shkuan 19 vjet dhe deri më tani mbetet enigmë se kush i vrau personalitetet që i mungojnë Kosovës si; Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Xhemail Mustafa, njëri nga bashkëpunëtorët e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Bytyçi ish-kryetar i Komunës së Suharekës, avokati Shaban Manaj, deputetit Smail Hajdaraj, Ismet Rraci ish-kryetar i Klinës, dhe shumë veprimtarë të tjerë të LDK-së. Po ashtu nuk janë zbardhur as vrasjet e luftëtarëve të UÇK-së, ajo e kolonel Tahir Zemës, Ekrem Rexhës (ish-komandant Drini) etj.

Jam i bindur se me zbardhjen e këtyre rasteve shteti i ri i Kosovës do të fitonte shumë në aspektin ligjor dhe të sigurisë kur aktorët e vrasjeve do të vëheshin para organeve të drejtësisë dhe do të merrnin dënimin e merituar. Ky është obligim ligjor, politik e moral që Kosova duhet ta kryej.

Ushtaraku i karierës Ekrem Rexha, do të mbahet mend përgjithmonë si një luftëtar besnik i Atdheut, një strateg ushtarak dhe një njeri i pakursyer për arritjen e lirisë dhe demokracisë në Kosovë. Ai, nuk ishte vetëm epror e strateg ushtarak, por mbi të gjitha ishte bashkëshort i mirë dhe prind i urtë, vëlla i dashur, mik i shtrenjtë , burrë i fjalës, e mbi të gjitha ishte atdhetar i madh…

Ngjajshëm si vrasjet dhe atentatet t’jera edhe kjo vrasje e komandant Drinit, kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës. Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Ishte një sulm mbi vlerat e shoqërisë demokratike të Kosovës, mbi institucionet demokratike e shtetërore dhe mbi një komandant të njohur të UÇK-së, i cili me përkushtimin e një atdhetari dhe profesionisti ushtarak dhe njohës i 7 gjuhëve të huaja, dha një kontribut shumë të rëndësishëm për çështjen e Kosovës. Ushtaraku i karierës Ekrem Rexha-„Drini” ishte oficer që nuk i frikësohej luftës në vijën e parë, kur dihet se, dy herë ishte plagosur gjatë luftës.

Ai njihej edhe si humanistë dhe organizator i mirë. Pas luftës nuk ka pëlqyer t’i sistemojë njerëzit që nuk kanë kontribuuar, por ata që ndihmuan lirinë e vendit duke i dhënë prioritet atyre me gjendje më të rëndë ekonomike. Ishte dhe shkoi faqe bardh, hijenat që e vranë- ja nxinë faqen Kosovës.

Drejtësia duhet të veproj, duhet të kërkojë me këmbëngulje dhe në vazhdimësi zbulimin e kriminelëve që vranë atdhetarët e vendit më të mirë. 

Pa ndriqimin e plotë të kësaj vrasje makabre dhe vrasjeve të tjera tinëzare të pas luftës nuk mund të qetësohen shpirtërat e familjarëve në Kosovë! 

Për fat të keq, vrasjet pas luftës, uzurpimet e pronave publike, aferat korruptive dhe shumë veprime të tjera jo ligjore, rëndojnë si barrë mbi shtetin e Kosovës në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Sot, familjës, Prizrenit dhe Kosovës i mungon njeriu më i meritueshëm dhe me vlerë të veçant, por qytetarët u pasuruan me porosinë e Komandant Ekrem Rexhaj-Drini: “Djema, mos u ngutni, primitivizmit dhe agresivitetit do t’i vijë fundi“.
Por, sidoqoftë komandant Drini do të mbetet si njëra ndër figurat më të rëndësishme të luftës çlirimtare të UÇK-së, edhe pse, ka plot tendenca të ndarjës së dëshmorëve. Ai i takon Panteonit të bijve më të respektuar të kombit.

Lavdi jetës dhe veprës së komandant Ekrem Rexha-Drini!/BotaSot/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.