Jo gjithçka që shkëlqen në VV është ar!

08.09.2019

Shkruan – Lirim Gashi Kur Partia bëhet për liderin e saj më e rëndësishme se atdheu, atëherë edhe Hysamedin Feraj dhe Erdogani bëhen për të më të rëndësishëm se Skënderbeu. VV duhet t’a implementojë një politikë kadrovike që mund t’i sfidoj sfidat komplekse të këtij shekulli njësoj suksesshëm si në arenën vendore ashtu edhe në […]

Jo gjithçka që shkëlqen në VV është ar! Foto: Ilustrim

Shkruan – Lirim Gashi

Kur Partia bëhet për liderin e saj më e rëndësishme se atdheu, atëherë edhe Hysamedin Feraj dhe Erdogani bëhen për të më të rëndësishëm se Skënderbeu.

VV duhet t’a implementojë një politikë kadrovike që mund t’i sfidoj sfidat komplekse të këtij shekulli njësoj suksesshëm si në arenën vendore ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Unë nuk besoj që sfidat komplekse të modernitetit sfidohen me ndihmën e njerëzve që pohojnë se Skënderbeu ishte vrasës i shqiptarëve mysliman, ndërsa Sulltanet otoman çlirimtarë të tyre.

Individët vendimmarrës te subjektit duhet të jenë njerëz largpamës, me integritet dhe sens për kualitet.

Njëkohësisht ata duhet të jenë individ të kujdesshëm, të aftë, të ditur, të zellshëm, koherent, modern, iluminist, human, kompetent dhe komplementar me interesat e kombit dhe shtetit, si dhe me kohën, hapësirën dhe rrethanat në të cilat jetojmë.

Unë mendoj që lidhja emocionale me Partinë nuk guxon të kalojë në obsesion, sepse rreziku për t’i shndërruar pastaj interesat shtetërore në interesa klienteliste, religjioze, apo partiake bëhet shumë i madh.

Kur pjesa dërmuese e anëtarësisë lidhjen emocionale me Partinë e shndërron në obsesion, atëherë Partia bëhet më e rëndësishme se atdheu dhe kushtimisht një neo otoman si Hysamedin Feraj më i rëndësishëm se Skënderbeu.

Në këto rrethana shumë lehtë krijohet përbrenda partisë një atmosferë sektare, ndërsa lideri i saj përjetohet nga pjesa dërrmuese e anëtarësisë si një Guru hindus, apo si një Kryeimam islam.

Dhe kjo nuk është e shëndetshme as për shtetin sekular dhe as për demokracinë partiake e shtetërore.

Kjo nuk është madje e shëndetshme as për mirëqenien mendore të individëve që e kultivojnë kultin e partisë dhe individit.

Rreziku më i madh i kanoset popullit shqiptar pikërisht nga njerëzit që e mohojnë, gjegjësisht dëmtojnë identitetin e tyre kombëtar, përmes shtrembërimit të historisë dhe shndërrimit të shtetit sekular në Kandahar.

Pajtohem në shumëçka me Albin Kurtin, por asesi në gjithçka, e sidomos jo me politikën kadrovike dhe diplomatike që nuk i nënshtrohet kritereve të fundamentuara njerëzore, shkencore, kombëtare, ndërkombëtare dhe iluministe.

Kriteret kadrovike të VV-së duhet të jenë jo vetëm në harmoni të plotë me interesat e kombit dhe shtetit, por edhe me vlerat universale dhe interesat e aleatëve tanë të dëshmuar ndërkombëtar që e kanë mundësuar ekzistencën e shtetit të dytë shqiptar.

Natyrisht që nuk pledoj për një raport servil të tipit ,,Amin” me miqtë tanë ndërkombëtar, por cilësia e raportit tonë me ndërkombëtarët varet nga niveli i respektit që ne e kemi për vetveten, gjegjësisht për historinë dhe identitetin tonë kombëtar, paranë dhe pronën publike, si dhe për integritetin dhe sovranitetin e shtetit.

Mirëpo nëse VV i fut nëpër lista zgjedhore njerëzit që e mohojnë Gjergj Kastriotin, atëherë ajo nuk mund të pret respekt nga miqtë ndërkombëtar, por vetëm nga armiqtë ndërkombëtar që synojnë t’a shndërrojnë Kosovën në Kandahar.

Unë nuk e di se kush e këshillon Albinin, por një është e sigurt :

Jo gjithçka që shkëlqen në VV është ar.