GREVA NË MBROTJE TË DINJITETTIT TË MËSIMDHËNËSVE

25.01.2019

Duhet ta dinë dhe ta kuptojnë drejt të gjithë; qeveri e prindër se greva po bëhet për ta mbrojtur të drejtën legjitime të punëtorëve të arsimit, dinjitetin e tyre njerëzor e meritor. Duhet ta dinë prindërit në radhë të parë se arsimtarët përkundër një pune të vështirë e me përgjegjësi, janë në fund të ranglistës […]

GREVA NË MBROTJE TË DINJITETTIT TË MËSIMDHËNËSVE Foto: Ilustrim

Duhet ta dinë dhe ta kuptojnë drejt të gjithë; qeveri e prindër se greva po bëhet për ta mbrojtur të drejtën legjitime të punëtorëve të arsimit, dinjitetin e tyre njerëzor e meritor. Duhet ta dinë prindërit në radhë të parë se arsimtarët përkundër një pune të vështirë e me përgjegjësi, janë në fund të ranglistës së koeficientit për paga, menjëherë pas stafit ndihmës(pastruesve).

Nuk jemi ankuar dhe nuk po bëjmë grevë për ngritje ta pagës por për ngritje të koeficientit. Ankesat (kërkesat) e SBASHK-ut janë për mospërfillje e anashkalim total të punëtoreve të arsimit të cilët kanë punuar viteve të 90-ta nën kushtet e rënda të okupimit.

Është e padrejtë dhe shumë absurde që mësimdhënësit që nuk i kanë pranuar masat e dhunshme të Serbisë duke punuar nën rrezikun permanent të agresorit, të mos u njihet përvoja, ndërsa ata që i kanë pranuar ato masa, kudo qoftë, tu njihet. Madje, nuk është bërë ende kompensimi material (as ai moral) i punës të asaj periudhe.

Kërkesat e SBASHK-ut po neglizhohen dhe prolongohen nga Kuvendi dhe qeveria e Kosovës me vite e dekada, ndërkaq rrogat, privilegjet e pafundme, pensionet e tyre, etj. i rregullojnë shumë shpejt. Për një grip të ndonjë deputeti a ish qeveritari ndahen mjete urgjentisht 30 mijë e më shumë euro. Koeficienti nga 1 deri në 12 paraqet një diferencë të jashtëzakonshme të dallimit në paga. Arsimi është tek nr. 2 i këtij koeficienti. Prindërit duhet të njoftohen për këtë detajisht nga sindikatat e shkollave.

Një prind i painformuar mirë nuk mund të bëjë deklaratë verbale kundër grevës, në emër të këshillit të prindërve. Mos të manipulohet kjo gjë e rëndësishme e serioze me prindër.

Kjo i bie si dikur, kur komunistet i dënonin njerëzit e pafajshëm në emër të popullit, e populli nuk dinte gjë. SBASHK-u ka kërkuar ngritjen e koeficientit që arsimi mos të jetë i fundit, nuk ka kërkuar të bëjë pazare për aq e kaq para më shumë në muaj, siç u trumbetua. Të rregullohet ligji mbi pagat, në qoftë nevoja, edhe nga zero-ja. Kërkesa e SBASHK-ut është mjaft modeste; koeficienti për Arsim të jetë deri në tri, pra, një kërkesë minimale.

Po supozojmë se nuk paska buxhet të mjaftueshëm qeveria, atëherë le ta ul numrin e koeficienteve nga 12 maksimal në 8 d.m.th prej 1 deri në 8 Në këtë mënyrë edhe dallimet në paga nuk do të ishin aq drastike si askund në rajon e Evropë. Deputetët e qeveritarët duhet ta din se pakënaqësitë e mëdha mund të sjellin edhe revolta. Është e vërtetë që ka tepricë në arsim, por kjo nuk është për fajin tonë.

Ne tani nuk mund të biem viktimë e fajësisë së drejtuesve të arsimit. Apolitizmi i shkollave dhe kriteri normativ do ta kishte evituar këtë kaherë. Hapat e parë të evitimit(stabilizimit) në komunën e Suharekës kanë filluar, tani, me vonesë dhe pamjaftueshëm.

Mbetet shumë për të bërë. Jam i bindur se më shumë se 20 mil, euro do të kurseheshin në vit po të mbylleshin të gjitha shkollat(paralelet ndara) me pak nxënës (e shumë arsimtarë), nga 5 deri në 40 nx. në gjithë Kosovën.

Sa mjete i duhet një shkolle duke e pas parasysh shpenzimet e mirëmbajtjes, drurët, rryma, uji, mbeturina, punëtori ndihmës etj.? Pra shkollat tek ne, po vazhdojnë të luajnë edhe më tutje rolin e Ministrisë së mirëqenies sociale. I mbajnë ashtu duke e rritur, vazhdimisht, numrin e nxënësve( d.m.th me gënjeshtra e mashtrime) së paku që 15 vite.

Punëtorët tepricë, fillimisht duhet të paguhen nga enti për punësim 70% deri në sistemimin e tyre në shkolla apo edhe diku tjetër(administratë). Nxënësit të barten me automjete transportuese në shkollat amë. Disa shkolla janë aq afër sa nuk ka nevojë as për këtë. Disa shkolla, dikur paralele të ndara, janë pavarësuar duke bërë edhe drejtor (drejtori) duke shtuar shpenzimet edhe më, pa kurrfarë nevoje, pra, shkolla në vete, me 70- 80 nxënës. Transportimi i nxënësve ndodh gjithkund në Evropë. Kjo gjë duhet të ndodh edhe te ne, pa hezitim, për të mirën e cilësisë dhe për çështje financimi. Mos të ketë pastaj “arsyetime” nga qeveritarët se ka shumë punëtorë në arsim dhe pamundësi të ngritjes së koeficientit.

Numri i nxënësve vazhdimisht ka rënë e numri i punëtoreve nuk ka lëvizur, e në ndonjë shkollë, për habi, edhe është rritur. Faji ka qëndruar tek DKA-të, përkatësisht, drejtorët politik të DKA- ve, të cilët kanë punësuar pa nevojë punëtorë të rinj, madje me normë të plotë e duke lënë të tjerë mësimdhënës me përvojë 30 vjeçare me gjysmë norme. Posa pensionohej ndonjë punëtor, drejtorët, me vrap, e merrnin tjetrin pa pyetur e analizuar se a ka nevojë apo jo.

Punësimin e bënin në baza partiake dhe farefisnore pa përfillur asnjë kriter profesional e ligjor. Duhet ta din të gjithë se shkollat nuk mund të jenë ent social dhe as ent për punësim. Këtë grevë duhet ta kuptojnë dhe konceptojnë ashtu si është dhe si duhet, të gjithë. Kjo duhet t’ua hap sytë të gjithëve për dallimet dhe padrejtësitë e mëdha në aspektin e pagave në sektorin publik. Një shofer të jetë me koeficient më të lartë se një profesor është e pazakontë dhe e pa shembulltë.

Në fund kërkesa e jonë për SBASHK-un është që t’i ketë parasysh parashkollorët në çerdhe dhe klasat e para, pasi ata janë në fillesat e edukimit dhe arsimimit, ndoshta nuk prish punë një përjashtim i vogël e simbolik po që se vazhdon greva. Mbesim me shpresë që të reflektojnë njerëzit kompetentë, t’ i udhëheq arsyeja dhe logjika e shëndosh për këto të drejta fundamentale të mësimdhënësve.

Autorë: Xhemajl Kolgeci & Agron Suka