Analet e një qyteti të kapur: (5) Formaliteti dhe substanca

05.02.2020

Shkruan – Mytaher Haskuka Për sundimin e ligjit bashkëpunimi institucional është i domosdoshëm. Momentin që njëra nuk funksionon apo saboton, nuk ka as rend e as ligj. Qeverisja komunale e Prizrenit në shumë aktivitete është lënë e vetmuar e në disa raste edhe sabotuar dhe penguar nga insitucionet që do të duhej të bashkëpunonin për […]

Analet e një qyteti të kapur: (5) Formaliteti dhe substanca Foto: Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka

Shkruan – Mytaher Haskuka

Për sundimin e ligjit bashkëpunimi institucional është i domosdoshëm. Momentin që njëra nuk funksionon apo saboton, nuk ka as rend e as ligj.

Qeverisja komunale e Prizrenit në shumë aktivitete është lënë e vetmuar e në disa raste edhe sabotuar dhe penguar nga insitucionet që do të duhej të bashkëpunonin për sundim të ligjit.

Pengimi dhe sabotimi ndaj Komunës së Prizrenit ka ndodhur veçanërisht në ballafaqim me ndërtimet pa leje. Sa për ilustrim, nga 5 vendimet për ndalim të ndërtimeve pa leje dhe rrënim të objeketve në qendrën historike të Prizrenit, të gjitha janë kthyer nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe është hapur konflikt administrativ. Kjo metodë është përdorur në mënyrë që të pengohet inspektorati komunal dhe të pamundësohet luftimi i ndërtimeve pa leje dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

Në asnjë nga këto raste organet e gjyqësorit nuk kanë vepruar dhe nuk kanë mbajtur seancat gjyqësore ashtu që të vërtetohet e drejta.

Por, më e çuditshmja është që disa organizata që thithin donacione në emër të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por edhe të transparencës dhe demokracisë, asnjëherë nuk kanë dalur me prononcime për vendimet kontradiktore të MMPH-së.

Këta individë, që paraqiten kinse po përfaqsojnë shoqërinë civile, në asnjë prononcim nuk kanë dalur kundër atyre që uzurpojnë publiken, bëjnë ndërtime pa leje apo vendimeve kontradiktore të MMPH-së, derisa të gjitha këto vendime janë në kundërshtim me planet rregulluese urbane të Komunës së Prizrenit dhe të gjitha objektet janë në zonën e veçantë të mbrojtur me ligj.

Këta kanë gojën plot me sundim të ligjit, por retorika e tyre bazohet në formalitet ngase nuk janë të interesuar për substancë. Sundimi i ligjit në substancë kërkon përgjegjësi. Ndoshta nga frika nga oligarkët dhe klanet që kanë pushtet ekonomik apo nga joshja dhe shpërblimi. Këta “avokatë të demokracisë” asnjëherë nuk dolën për të kërkuar përgjegjësi kur ndërtohej 13 katëshi vetëm 250 metra nga Komuna e Prizrenit. Por heshtja e tyre vazhdoi edhe kur qeverisja e re dërgoi këtë dosje në prokurori. Heshtën edhe kur ne morëm vendim për rrënim, e MMPH na ndaloi në veprime.

Këta kishin heshtur në shumë ndërtime pa leje në të kaluarën dhe heshtja e tyre vazhdoi edhe atëherë kur zyrtarët komunalë ballafaqoheshin me këto ndërtime pa leje dhe kërcënoheshin e pengoheshin në kryerjen e punëve zyrtare të tyre.

Fundja, të ishin të interesuar për substancë e jo për formalitetin, ata të përgjigjeshin në thirrjen time që kam bërë në gusht të vitit 2019 për organizimin e një konferencë për të gjitha rastet ku Komuna e Prizrenit ballafaqohet me institucionet e tjera përgjegjëse.

Pra 6 muaj nuk kanë guxim të ballafaqohen për substancën, ndërsa numërojnë ditë për formalitet.

180 ditë jam duke pritur konferencën…

Por ne, çdo pengesë do ta tejkalojmë, çdo bllokadë do ta zhbllokojmë, ngase Prizreni ka treguar guximin dhe meriton më të mirën. Së bashku vvazhdojmë!