24 marsi i vitit 1999 – 21 vite nga intervenimi i NATO-s në Kosovë

23.03.2020

Shkruan – Zenun Rusi Mëngjesi i 24 marsit ishte pothuaj ditë e zakonshme në Kosovë. Rrugëve të qyeteve kishte plotë njerëz që ua mësynin shitoreve për t”u furnizuar me gjera të llojllojshme ushqimore. Nuk kishte mbetur më asgjë tjetër, pritej çasti i bombës së parë e cila për Kosovën kishte domethënien e bekimit të kohës […]

24 marsi i vitit 1999 – 21 vite nga  intervenimi i NATO-s në Kosovë Foto: Ilustrim

Shkruan – Zenun Rusi

Mëngjesi i 24 marsit ishte pothuaj ditë e zakonshme në Kosovë. Rrugëve të qyeteve kishte plotë njerëz që ua mësynin shitoreve për t”u furnizuar me gjera të llojllojshme ushqimore.

Nuk kishte mbetur më asgjë tjetër, pritej çasti i bombës së parë e cila për Kosovën kishte domethënien e bekimit të kohës së re. Tomahawku i parë ra mbi Prishtinë diku pas orës njëzetë. Krahas fillimit të bombardimeve mbi caqet serbe nga NATO-ja Millosheviqi dha urdhër që forcat e veta në Kosovë të fillojnë një fushatë terrori, e cila kaloi për nga përmasat dhe shpejtësia me të cilën u kry, edhe vetë spastrimi etnik që ai e kreu në Bosnje gjatë vitit 1992. Ky ishte aksioni i parë ushtarak që ndermorri NATO-ja në historinë e saj pesëdhjetëvjeqare pa mandatin formal të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Katalizatori që e përshpejtoi fillimin e fushatës së bombardimeve ajrore ishte i dyfishtë: Së pari, zbulimi i një numri masakrash të forcave serbe kundër shqiptarëve, duke përfshirë edhe gratë dhe fëmijët, e shtynë NATO-n që të merrte vendimin. Së dyti, fuqitë perëndimore zbuluan planin e përgjithshëm strategjik të Millosheviqit për të zgjidhur problemin shqiptar, i njohur si operacioni “Patkoi”.

Çështja e sulmit të ushtrisë dhe forcave policore serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë ishte urgjente dhe sfidë e madhe për Forcën Ajrore. Shumë gjëra vareshin nga moti, nga modeli i aktiviteteve në tokë, nga shkalla e rezistencës dhe nga pasoja e teknikave tona për ti sulmuar shenjestrat në tokë, çshtja e shkatërrimit të këtyre forcave nuk ishte çshtje e domosdoshme, por thjesht shperndarja e tyre dhe detyrimi që ato të fshiheshin, do të pengonte planet e Millosheviqit.

Në mënyrë sistematike do t’i sulmojmë, do t’i pengojmë, dhe do t’i shkatrrojmë këto forca nëse presidenti Millosheviq nuk i bindet kërkesave të komunitetit ndërkombëtar. Strategjia e NATO-së përfshinte tri faza të sulmeve ajrore, për të përmbushur synimet ushtarake dhe politike të Perëndimit.

Faza e parë, duke përdorur bombarderët e mëdhenj të tipit B-2 dhe B-52, si dhe raketat Tomahawk, kishte për qëllim dëmtimin apo edhe neutralizimin e sistemit të radarëve dhe të sistemit anti-kundërajror të forcave serbe, i cili ishte tejet i demoduar apo i tejkaluar dhe që, veç ndonjë “plumb qorr” nuk mund të rrezikonte seriozisht forcat ajrore aleate.

Faza e dytë, e cila do të fillonte pas përfundimit të suksesshëm të fazës së parë, duhej të sillte në qiell aeroplanët F16 dhe të tjerët nga kjo flotë për të sulmuar kolonat e tankeve, artilerinë e rëndë apo edhe njësitë tokësore të ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe duhej të qeronin përfundimisht hesapet me sistemin kundet-ajror serb.

Faza e tretë dhe përfundimtare e fushatës ajrore paralajmronte inkuadrimin e helikopterëve amerikan “Apache” të cilët do ti vrisnin tanket dhe artilerinë e rëndë serbe në Kosovë, gjë e cila do ti sillte automatikisht kapitullimin e forcave serbe, jo vetëm para Paktit NATO, por edhe para Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në atë rast do të ishin në gjendje të thyenin rezistencën e forcave serbe në Kosovë. Kur NATO-ja planifikonte goditje ajrore, ajo merrte parasysh që në tokë kishte një forcë të fuqishme tokësore- UÇK-në.

NATO-ja nuk e kishte vënë përkohësisht në programin e veprimtarisë së saj bashkëpunimin me UÇK-në. Në qoftë se kishte një forcë që godiste nga ajri, natyrisht që kishte edhe një forcë që godiste nga toka. Përveç këtij elementi ishte ehde një element tjetër me vlerë absolute: zbulimi i armikut. Kuptohet qe lufta e Paktit të Atlantikut Verior nuk do të kishte rezultate aq të mëdha nëse nuk do të ishte angazhuar masovisht edhe UÇK-ja.

Millosheviqi, prej fillimit të luftës e dinte se nuk do të mund të fitonte në dyluftim me Paktin NATO, ai llogariste në qarjet politike brenda vetë Alenacës Perëndimore në rezistencën e brendshme të vetë opinionit në shtetet perëndimore e mbase më së shumti në ngritjen e Luftës së Ftohtë ndermjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sulmet kishin një motiv të lartë moral. Ky motiv bazohej në moslejimin e spastrimit etnik në Evropë në prag të shek. XXI, si dhe ndaljen e një katastrofe të thellë humanitare. Dhe kjo në fakt ndodhi.