KB Golden Eagle Ylli është një nga skuadrat që synon të bëjë paraqitje sa më të mira në edicionin e ri.

Suharekasit në ndeshjen e parë, sot (e shtunë) do të përballen me Feronikelin.  

Ylli ka bërë disa përforcime për edicionin e ri, me lojtarë vendorë dhe të huaj. Njëri nga lojtarët më të dalluar vendor është Samir Zekiqi.  

Ai flet për përgatitjet në edicionin e ri dhe synimet për këtë sezon.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe jemi të gatshëm për edicionin e ri, që fillon nesër për ne. Kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, që na kanë ndihmuar shumë. Kryesia është duke bërë një punë të madhe dhe jemi të gatshëm për edicionin e ri. Për synime është ende herët për të folur, megjithatë, shpresojmë të përfundojmë sa më lartë në tabelë dhe në “Play-off”, gjithçka është e mundur. Sidoqoftë, shpresojmë se do të zhvillojmë lojëra sa më të mira dhe të kemi një edicion sa më të mirë”, është shprehur Zekiqi për faqen zyrtare të FBK-së.  

Ndeshja GoldenEagle Ylli-Feronikeli zhvillohet sot nga ora 19:00.