Xhiroja e 11-të e Superligës së Kosovës në basketboll do të zhvillohet sot dhe nesër, njofton FBK.

Ndeshja e parë do të zhvillohet sot në Suharekë ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Lipjanit. Ylli nga tetë ndeshje të zhvilluara deri më tani, ka pesë fitore dhe tri humbje, kurse lipjanasit kanë nëntë humbje nga po aq ndeshje të zhvilluara.

Të premten gjithashtu ballafaqohen edhe rivalët e vjetër Bashkimi dhe Trepça. Prizrenasit e kanë nisur mirë kampionatin, duke shënuar shtatë fitore dhe dy humbje, kurse mitrovicasit kanë dy fitore dhe gjashtë humbje.

Rahoveci të shtunën do të ndeshet me Feronikelin, skuadrën që ia ka shkaktuar humbjen e vetme në këtë edicion. Vreshtarët janë liderë me tetë fitore dhe një humbje, kurse skuadra nga Drenasi ka tri fitore dhe gjashtë humbje.

Xhiroja e 11-të përmbyllet me sfidën shumë interesante mes Ponte Prizrenit dhe Sigal Prishtinës, që janë renditur në vendin e tretë, përkatësisht të katërt. Ponte Prizreni ka pesë fitore dhe katër humbje, kurse Prishtina ka pesë fitore dhe tri humbje.

Ndeshja e sotme ndërmjet KB Yllit dhe KB Lipjanit do të fillojë nga ora 17:00 në palestrën sportive “13 Qershori” në Suharekë, ku për të gjithë të interesuarit hyrja në palestër kushton 1 euro.