Krimi i rëndë dyshohet të ketë ndodhur më 23 janar 2025 në malet e një fshati të Komunës së Ferizajt.
Sipas njoftimit të gjykatës, Fejza dyshohet se e ka privuar nga jeta Varim në mënyrë mizore, duke e goditur fillimisht me sëpatë në kokë nga mbrapa, e më pas edhe disa herë të tjera në pjesë të ndryshme të trupit. Pas kësaj, ai dyshohet se e ka groposur trupin e pajetë në një vend të fshehtë në mal, duke e mbuluar me dhe e drunj.
Trupi i pajetë i viktimës u gjet më 5 shkurt 2025 nga disa banorë të fshatit, ndërsa pranë trupit u gjetën edhe rrobat e tij të djegura.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, dhe për këtë arsye ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit.
Rasti vazhdon të jetë nën hetime të mëtutjeshme për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.