Vrasja e qytetarit të Suharekës u porosit nga gruaja e tij!

16.01.2019

Vrasja e rëndë e cila ndodhi në fshatin Peqan të komunës së Suharekës në vitin 2016, ku sot i akuzuari Murat Ademi u deklarua në Gjykatën e Prizrenit tregoi dëshminë e tij lidhur me rastin. Viktima nga Peqani, Abedin Bytyqi, familjarët e të cilit nuk i ndalin lotët gjatë deklarimit të Murat Ademi i cili e dha versionin tij të vrasjes së […]

Vrasja e qytetarit të Suharekës u porosit nga gruaja e tij! Foto: Ilustrim

Vrasja e rëndë e cila ndodhi në fshatin Peqan të komunës së Suharekës në vitin 2016, ku sot i akuzuari Murat Ademi u deklarua në Gjykatën e Prizrenit tregoi dëshminë e tij lidhur me rastin.

Viktima nga Peqani, Abedin Bytyqi, familjarët e të cilit nuk i ndalin lotët gjatë deklarimit të Murat Ademi i cili e dha versionin tij të vrasjes së viktimës në fjalë.

Momentin që Murat Ademi filloi të rrëfente ngjarjen të gjithë të akuzuarit u larguan nga salla, ku seanca u përcoll në prani të gardianëve të burgut dhe pjestarëve të Policisë së Kosovës.

Murat Ademi, gjatë rrëfimit të tij për vrasjen e Abedin Bytyqit, tha se faji i kësaj vrasje ishte te vetë bashkëshortja e Abedin Bytyqit.

Resmije Bytyqi, bashkëshortja e viktimës i kishte treguar disa probleme me bashkëshortin e tij tanimë viktimë, për arsye se po ushtronte dhunë ndaj saj, dhe sipas Ademit, Resmije Bytyqi kishte shkuar të kërkonte ndihmë tek ai.

Takimi mes Resmijes dhe Murat Ademit kishte ndodhur 3 javë para se të ndodhte vrasja. Më detajisht i akuzuari tha se: “Resmija më ka treguar se ka dhunë nga burri i saj Abedini, ndërsa unë kur e pyeta se çka po don me të ndihmu unë, ajo mu përgjigj troç: Unë kam vendos me e vra burrin tim”.

Murat Ademi tha tutje se pas 2-3 takimeve me Resmije Bytyqin, ai e kishte takuar shokun e tij të kamotshëm Fadil Fetiun. Edhe ky është i akuzuar në këtë rast.

Murati tha se nga Fadil Fetiu kishte kërkuar ta gjente një shok që do të merrte përsipër me “kry atë punën”.

I akuzuari tha se Fadili e kishte thirrur të nesërmen. “Ai më tha se për këtë punën nuk kemi nevojë me thirrë askënd, sepse vetë personalisht unë po e kryej”, tha Murat Ademit t’i ketë thënë Fadil Fetiu.

Sipas të akuzuarit ky takim ka qenë rreth 3 javë para se të ndodhte vrasja e Abedin Bytyqit.

Sipas Muratit, Fadili gjatë gjithë kësaj kohe e ka përcjellë viktimën se ku po lëvizte dhe ku po rrinte.

Murat Ademi deklaroi se Fadil Fetiu i kishte kërkuar që t’ia blinte një pistoletë. Paratë, tha i akuzuari, i kam marrë nga Resmije Bytyqi dhe me to e kam blerë pistoletën për Fadilin.

Kur ishte takuar me Resmijën, i akuzuari tha t’i ketë thënë se “Fadili e ka marrë përnime me ta kry punën”.

Ai tha se Resmija ishte “e padurueshme”, sepse vazhdimisht po e thërriste në telefon për të pyetur se kur ka me kry Fadili “atë punën”.

Për ditën kritike, Murat Ademi tha se Fadil Fetiu e ka thirrur viktimën Abedin Bytyqi në telefon kinse për të shkuar te shtëpia e Fadilit në Peqan për të rregulluar disa defekte me rrymën.

Kur Fadili me makinën e tij kishin shkuar te shtëpia e tij bashkë me viktimën Abedin Bytyqin, sipas Murat Ademit, ky kishte arritur më vonë te shtëpia e Fadilit dhe ishte afruar me makinë deri afër shtëpisë.

E në atë moment Fadili me Abedinin kanë hyrë brenda në shtëpi.

Murat Ademi e pranoi se e kishte pasur pistoletën me vete, andaj edhe kishte shkuar te shtëpia e Fadil Fetiut.

Më tutje Murat Ademi rrëfeu veprimet e tij bashkë me Fadil Fetiun që çuan deri te vdekja e Abedin Bytyqit.

“Fadili ka shku poshtë në bodrum bashkë me Abedinin, e aty ma ka kërku pistoletën që e kisha me vete, e pasi ma mori pistoletën, aty Abedini e kuptoi se nuk e kemi thirrur për punë. E kur pyeti se çka po ndodh këtu, unë i thashë: E din ti mirë se çka po ndodh, e din edhe gruaja jote”, tha i akuzuari Murat Ademi.

Më tej, i akuzuari tregoi se pasi që u gjunjëzua Abedini kishte marrë lidhëse dhe ia kishin lidhur duart Abedinit.

Më pas, sipas tij, Fadil e dërgoi Abedinin në një dhomë të vogël të parregulluar.

“E derisa Abedin Bytyqi po bërtiste, Fadili mori izolirin, lepakun dhe ia lidhi gojën mos me ba zhurmë, e tu ja mshel gojën ia ka lidh edhe hundën, e ia ka nalë frymëmarrjen”, vazhdoi rrëfimin e tij Murat Ademi.

Si pasojë e këtij veprimi, sipas Murat Ademit, pas 7-8 minutash, më nuk dëgjohej zhurmë nga ana e Abedin Bytyqit.

Pas kësaj sipas Murat Ademit filloi edhe paniku ndërmjet tyre.

“Pasi që Fadili deshti me hap një gropë në oborr të tij me e fsheh Abedinin, unë i thashë jo se duhemi me dërgu diku larg”, shtoi ai.

Më pas vendosën që ta marrin veturën e tij e ta dërgojnë Abedin Bytyqin diku larg, ashtu që Murat Ademi afroi veturën e tij afër derës së shtëpisë e së bashku me Fadilin e futën Abedin Bytyqin brenda në veturë.

Më tutje Murat Ademi tregoi se pasi që “jemi shëtitur me veturë në Studenqan, unë vendosa që trupin me dërgu diku aty në mal, e pasi që e lamë aty jemi larguar menjëherë, për t’u kthyer më vonë dikur në mbrëmje e për ta vendosur në një vend tjetër”.

Ndërkohë Murat Ademi tregon se para se të kthehen në mbrëmje në mal, është takuar edhe me Resmije Bytyqin.

“Ajo erdhi në shtëpinë time, për të më takuar, se ajo veç e ka ditë se puna është kryer, sepse Abedini nuk po lajmërohej në telefon, e unë i thashë që jemi taku me Fadilin e punën ta kemi kry”, rrëfeu i akuzuari.

Kur i akuzuari Murat Ademi përfundoi mbrojtjen e tij dhe deklarimin e tij për ngjarjen e ndodhur, atëherë mori fjalën prokurori i shtetit Genc Nixha.

I njëjti deklaroi se duke marrë parasysh atë që ka rrëfyer i akuzuari, atij i duhej kohë për ta analizuar deklaratën, andaj kërkoi që ky shqyrtim të ndërpritet meqenëse edhe ora ishte 16:00 dhe të caktohet një ditë tjetër raporton Express.