Katër persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur në 10 ditët e fundit, 7 deri më 17 dhjetor 2019.
Sipas statistikave të Policisë në raportin e saj zyrtar bëhet e ditur se vetëm gjatë kësaj periudhe kohore kanë vdekur katër persona kurse 159 të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Të pyetur nga Gazeta Metro nëse Policia e Kosovës ka strategji tjetër për vetëdijësimin e pjesëmarrësve në komunikacion apo përdor vetëm gjobat si masë ndëshkuese për shkeljen e rregullave, në mënyrë të parandalimit të aksidenteve të trafikut, Policia vlerëson se është e nevojshme që të ketë angazhim edhe më të madh ndërinstitucional dhe të ndërmirren masa aktive për të krijuar rrethana më të favorshme në mënyrë që numri i aksidenteve të reduktohet.
“Përderisa gjatë kësaj periudhe të vitit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 100 persona si pasojë e pakujdesisë në drejtimin e automjeteve apo në çfarëdo forme tjetër të pjesëmarrjes në trafik, Policia e Kosovës vlerëson se është e nevojshme që të kemi një angazhim edhe me të madh ndërinstitucional dhe masa proaktive dhe aktive duhet ndërmirren në vazhdimësi për të krijuar rrethana më të favorshme që numri i aksidenteve, në veçanti i atyre me fatalitet të reduktohet edhe më tej”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Metron.
Sipas të dhënave, shtatë persona më pak kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe të vitit sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, megjithatë numri i aksidenteve fatale mbetet shqetësues.
“Policia si autoritet i zbatimit të ligjit po punon me përkushtim përmes planifikimeve operacionale, fushatave etj, për reduktimin në vazhdimësi të aksidenteve dhe njëkohësisht do të ndërmerr veprime ligjore ndaj kujtdo që shkelë rregullat dhe cenon sigurinë në rrugë”, kanë thënë tutje nga Policia e Kosovës.
Pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë mbeten ndër shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore nëpër rrugët tona, prandaj drejtuesit e automjeteve janë bartës kryesor të përgjegjësive gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe të njëjtit duhet të jenë mjaftë të matur dhe vigjilent sepse përveç rrezikimit të të tjerëve jo rrallë edhe vetë ata janë pjesë e statistikave fatale.
