Rrahën grat, arrestohen dy të dyshuar në Prizren – Me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje
- 07.01.2023

Rastet e dhunës në familje, në Kosovë nuk kanë të ndalur, një gjë e tillë po bëhet e ditur nga raportet e policisë, ku çdo ditë po raportohet për këto raste të cilat vazhdojnë të mbesin sfidë për institucionet e shtetit.
Nga raportet e policisë, dërguar mediave bëhet e ditur se fatkeqësisht viktimat e dhunës në familje janë kryesisht femrat.
Dy raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë ditës së premte në Stacionin Policor në Prizren, raporton SuharekaOnline.
Rasti i parë është raportuar rreth orës 02:00, ku sipas deklaratës së viktimës në polici bëhet e ditur se personi i dyshuar me të cilin viktima kishte bashkjetuar ka ushtruar dhunë.
Policia e Kosovës në Prizren ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Prizren 06.01.2023 – 02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare, me të cilën bashkëjeton. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa, rasti tjetër është raportuar të premten rreth orës 23:40, ku bëhet e ditur se një i dyshuar kishe sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Si pasojë e dhunës fizike, viktima ka pësuar lëndime trupore me ç’rast edhe i është ofruar tretman mjekësor.
Policia e Kosovës në Prizren ka njoftuar se i dyshuari pas arrestimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Prizren 06.01.2023-23:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Si pasojë e sulmit fizik viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.” thuhet tutje në raport.