Rasti i shpërthimit në Zhur ku humbi jetën zyrtari policor, dënohen dy persona me nga 12 vjet burg

19.09.2023 Ligji
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda (trupi gjykues, Ajser Skenderi– Kryetare, dhe anëtarët Kymete Kicaj dhe Luan Berisha) ka shpallur aktgjykim DËNUES ndaj të akuzuarve I.B., dhe A.G., , për shkak se:
Në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari V.Ç. (i dënuar në vitin 2021 shih SHËNIMIN) e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të akuzuarit I.B., në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit A.M., J.H., dhe A.B:, si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Këso dore në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356,paragrafi 5 (me pasoja vdekjen e një personi), dhe paragrafi4 (me pasoja lëndime të rënda të më shumë personave) dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Këso dore në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit I.B., e GJYKON:
- DENIM UNIK ME BURGIM në kohëzgjatje prej 12 vitesh (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 28.01.2020.
- Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit.
Të akuzuarin A.G., e GJYKON
- DENIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 12 vitesh.
- Të njëjti në ditën e shpalljes së Aktgjykimit, i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, dhe i caktohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit.