Prizren, goditi këmbësorin me motoçikletë dhe iku, zbulohet shoferi 22 vjeçar
- 21.03.2023

Aksidentet në trafik janë një ndër dukuritë më shqetësuese në vendin tonë. Ato zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve që rrezikojnë të gjithë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë.
Si pasojë e shpërqendrimit dhe pakujdesisë të shoferëve, viktima në shumë raste janë edhe këmbësorët.
Një aksident i tillë trafiku ka ndodhur edhe në fillim të këtij muaji, në rrugën “Tahir Sinani” në Prizren, ku një këmbësor ishte goditur nga një motoçiklist, i cili më pas kishte ikur nga vendi i ngjarjes, pa dhënë ndihmën dhe pa njoftuar Policinë.
Si rezultat i hetimeve të ndërmarra nga ana e Policisë, është identifikuar shoferi i dyshuar, A.Sh., 22-vjeçar, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, ku për pasojë viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se i dyshuari gjendet në Gjermani pasi nuk jeton në Kosovë, prandaj veprimet e tjera hetimore ndaj tij do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e tij.
Ndryshe, këmbësori që ishte goditur nga motoçiklisti kishte marrë trajtim mjekësor në spital dhe fatmirësisht tashmë është jashtë rrezikut për jetë.