Përfundon gjykimi ku mësimdhënësja po kërkon nga Komuna e Suharekës afër 3 mijë € kompensim të pagave jubilare e përcjellëse

26.02.2022

Në Gjykatën Themelore Prishtinë, të premten ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësja Sanije Zeqiraj, po kërkon nga e paditura Komuna e Suharekës, kompensimin e tri pagave përcjellëse pas pensionimit dhe tri pagave jubilare, në shumën e përgjithshme prej 2 mijë e 790 euro. Lidhur me këtë rast, në seancën e së premtes është bërë […]

Përfundon gjykimi ku mësimdhënësja po kërkon nga Komuna e Suharekës afër 3 mijë € kompensim të pagave jubilare e përcjellëse Foto: Ilustrim

Në Gjykatën Themelore Prishtinë, të premten ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësja Sanije Zeqiraj, po kërkon nga e paditura Komuna e Suharekës, kompensimin e tri pagave përcjellëse pas pensionimit dhe tri pagave jubilare, në shumën e përgjithshme prej 2 mijë e 790 euro.

Lidhur me këtë rast, në seancën e së premtes është bërë administrimi i provave nga gjykatësja e rastit Lendita Berisha dhe është dhënë fjala përfundimtare nga përfaqësuesi i paditëses, avokati Ramiz Suka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditëses, Suka në fjalën e tij të përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë në tërësi kërkesëpadinë e paditëses dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës, në shumën e përgjithshme prej 644 euro.

Tutje, avokati Suka ka thënë se gjatë shqyrtimit kryesor dhe administrimit të provave, është vërtetuar se paditësja ka të drejtë në kompensimin e pagave jubilare si dhe pagave përcejllëse në pension.

Ai gjithashtu ka thënë se sa i përket provave që janë deponuar në shkresat e lëndës, beson që gjykata në këtë çështje kontestimore do të vendos në mënyrë meritore.

Ndryshe, në këtë seancë për të paditurën, nuk përfaqësoi askush nga Avokatura Shtetërore, sipas gjyqtares Berisha, e paditura e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Andaj, me propozimin e përfaqësuesit të paditëses, e njëjta mori aktvendim që seanca të mbahet në mungesë të së paditurës.

Meqenëse pas administrimit të provave nuk pati vërejtje dhe propozime të tjera nga përfaqësuesi i paditëses, gjykatësja Berisha njoftoi që shqyrtimi në këtë çështje kontestimore ka përfunduar dhe se palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 23 nëntor, 2016, paditësja Sanije Zeqiraj, po kërkon nga Komuna e Suharekës, kompensimin e pagave për shkuarje në pension si dhe pagave për shpërblim jubilar, në shumën e përgjithshme në vlerë prej 2 mijë e 790 euro, me kamatë prej 8% nga dita e parashtrimit të kësaj padie e deri në pagesën definitive.

Në padi thuhet se paditësja ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura Komuna e Suharekës, e punësuar si mësimdhënëse në shkollat fillore në fshatrat e kësaj Komune.

Në arsyetimin e kësaj padie thuhet se paditësja kërkon këtë shumë, duke u bazuar në nenin 36, pika 9 dhe 10 e Kontratës Kolektive të arsimit parauniversitar, sipas së cilës thuhet se punëtori i cili shkon në pension, ka të drejtë në shpërblimin jubilar në vlerë të tri pagave, për përvojën prej 30 viteve./BetimipërDrejtësi