Opozita në Suharekë: Në arsim po punësohen militantët e AAK-së

16.12.2018

Ndërrimi i qeverisjes në komunën e Suharekës, duket se nuk e ka ndryshuar mentalitetin e vjetër. Sipas opozitës në këtë komunë, punësimet politike nën qeverisjen e Bali Muharremaj janë duke u bërë në një masë të madhe në gjitha dikasteret publike, e veçanërisht në arsim. Kjo e fundit konsiderohet se është degraduar mjaft shumë, pasi […]

Opozita në Suharekë: Në arsim po punësohen militantët e AAK-së

Ndërrimi i qeverisjes në komunën e Suharekës, duket se nuk e ka ndryshuar mentalitetin e vjetër.

Sipas opozitës në këtë komunë, punësimet politike nën qeverisjen e Bali Muharremaj janë duke u bërë në një masë të madhe në gjitha dikasteret publike, e veçanërisht në arsim.

Kjo e fundit konsiderohet se është degraduar mjaft shumë, pasi pozitat arsimore janë mbushur me njerëz politik.

Ish – drejtori i shkollës “Ramë Bllaca” në fshatin, Bllacë Urim Suka thotë se arsimi në komunën e Suharekës asnjëherë nuk ka qenë më keq. Veprimet e kryetarit Bali Muharremaj Suka i quan vendime të palogjikshme.

Sipas tij, kryetari pa asnjë arsye i ka shkarkuar mbi dymbëdhjetë drejtorë të shkollave.

Sipas Sukës kjo është bërë vetëm për qëllime politike, ndërsa për ata që i kanë zëvendësuar deklaron se të gjithë janë pjesë e AAK-së.

Suka: Ai ka larguar deri dymbëdhjetë drejtorë prej shkollave

“Tash bëhet një vit kur kryetari ka marr detyrën e tij, ai ka larguar deri dymbëdhjetë drejtor prej shkollave, diku janë rreth dhjetë drejtor që ai i ka emëruar e që janë në funksione të caktuara politike në AAK… unë jam njëri prej drejtorëve që nuk i është vazhduar kontrata, kryetari dhe drejtoria e arsimit nuk më kanë njoftuar asnjëherë për performancën negative apo që nuk do vazhdohet kontrata…janë mbi tetë drejtor që janë larguar prej pune vetëm për qëllime politike”, thotë Suka.

Njëjtë mendon edhe asamblisti i PDK-së në këtë komunë Dardan Berisha.

Sipas tij arsimi në Suharekë ka degraduar mjaft shumë, pasi konsideron se gjitha pozitat arsimore janë mbushur me njerëz politik.

Sipas tij, pothuajse gjithë njerëzit e strukturave të AAK-së janë rehatuar në pozita të ndryshme në shkollat e ciklit të ulët në Suharekë.

Berisha: Pothuajse të gjithë janë njerëz të strukturave

“Ne si grup parlamentar i PDK-së kemi reaguar disa herë qysh në fillim për çështjen e arsimit. dhe kemi parë punësimet politike kompletë strukturore politike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës këtu në komunën e Suharekës… po thuajse të gjithë janë njerëz të strukturave, qoftë në nivel dege, qoftë ne nivel nëndege”, tha, Berisha.

Drejtori i arsimit në Suharekë, Remzi Bytyqi nuk e ka mohuar që ka punësime politike në shkollat e Suharekës. Sipas tij, është normale, kur njerëzit që i plotësojnë kriteret të pranohen, qoftë dhe anëtarë të partisë së tij.

Mirëpo, Bytyqi arsyetohet se rekrutimi bëhet me anë të konkursit, ku intervistat pranuese janë transparente.

Bytyqi: Ka të partisë sonë që janë të pranuar në këtë konkurs

“Ka dhe të tillë që janë të partisë tonë që kanë konkurruar, që është gjë normale që janë pranuar. Nuk mund të themi, por është një numër shumë i vogël, krahasuar me atë që opozita e hiperbolizon këtë çështje…ka raste kanë aplikuar dhe është gjë normale… intervistat janë shumë transparente, është përfaqësuesi i shkollës, përfaqësuesi i prindërve dhe paneli intervistues. Asnjë drejtor nuk është emëruar pa vullnetin e kolektivit të asaj shkolle, pa e marr dhe opinionin e komunitetit të shkollës”, thotë Bytyqi.

Tashmë janë bërë rreth një vit kur Bali Muharremaj ka fituar në balotazh ndaj kandidatit të LDK-së, Sali Asllanaj. Ky i pari vazhdimisht ka premtuar se çështjen e arsimit e ka prioritet.

Etiketat