Ngritet aktakuzë për një të dyshuar për terrorizëm
Kështu ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër një (1) personi me inicialet S.N. Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri S.N. akuzohet për veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’ nga neni 143 paragrafi 2 të […]
Kështu ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër një (1) personi me inicialet S.N. Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri S.N. akuzohet për veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’ nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Ndërsa më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Terrorizmit pas hetimeve disa mujore, pas informacioneve dhe hetimeve shtesë kishte kryer një operacion në disa lokacione ku edhe u sekuestrua armatim, përfshirë këtu armë automatike, municion, granata dore e pajisje të tjera.
Në këtë aksion në rajonin e Pejës dhe Prizrenit u arrestuar pesë persona..
“Prokuroria Speciale njofton se arrestimi i personave të dyshuar është kryer mbi dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës ku dyshohen për veprat penale ‘Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës’ nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale ‘Kryerja e veprës terroriste’ nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së’. Po ashtu, të njëjtit dyshohen edhe për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, neni 366 paragrafi 2 i KPRK-së”, ishte thënë në komunikatën e prokurorisë.
Kosova po përballet që prej 10 vjetësh me shtimin e shkallës së radikalizimit tek të rinjtë, disa prej të cilëve janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Kujtojmë se Kosova është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Kuvendi i Kosovës në fillim të vitit 2015 pati miratuar ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t’u bashkuar në luftëra jashtë vendit. Hapat konkretë që janë ndërmarrë për luftën kundër terrorizmit, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që shpie në terrorizëm.