Prokurori i Shtetit njofton opinionin se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur gjashtëdhjetë (60) aktakuza kundër gjashtëdhjetegjashtë (66) personave për vepra të ndryshme penale, si dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar njëzetenjë (21) persona.

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ndaluar për 48 orë një (1) person, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Personi me inicialet R.B i cili u arrestua dje nga Policia e Kosovës dyshohet për veprat penale “Fajde”, “Detyrim”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Dje, më 18.07.2019 është zbatuar urdhëresa e gjykatës, ku në prezencë të personit të dyshuar dhe mbrojtësit të tij, në një fshat të Suharekës, është kontrolluar personi, shtëpia dhe automjeti i tij. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dëshmi relevante të kryerjes së veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, dëshmi të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Sipas kumtesës, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar edhe: një pushkë automatike AK-47, dy karikatorë të pushkës automatike, 53 copë fishekë kalibri 7.62 mm dhe një pushkë gjuetie me gjashtë fishekë.