Pasi që jemi në përfundim të këtij vitit, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës (PK) prej fillimit të vitit 2019 deri në fillim të dhjetor janë shënuar gjithsej 20 vrasje.

Sipas Avni Islami i cili është profesor i Shkencave të Sigurisë, ka thënë se duke krahasuar me vendet e tjera dhe në raport me numrin e popullësisë shteti i Kosovës vazhdon të ketë një numër tejet të lartë të vrasjeve.

Numri i vrasjeve në Kosovë ka vazhduar të jetë alarmant edhe përgjatë vitit 2019. Sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit Kosova është ballafaquar me një shifër shqetësuese të këtyre akteve.

Kësaj shifre shqetësuese i shtohet edhe vrasja e fundit që ndodhi gjatë muajit dhjetor në fshatin Surqinë të komunës së Ferizajt, ku mbeti i vrarë Sh.B 32 vjeçar.

Sidoqoftë, numri i vrasjeve për vitin 2019 ka shënuar rënie, duke e krahasuar me vitin paraprak.

Edhe pse në krahasim me vitin e kaluar, ku kishin ndodhur 32 vrasje, ky numër ka rënë dukshëm, niveli i tyre vazhdon të konsiderohet shqetësues, sipas ekspertëve të sigurisë në Kosovë.