Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për deklarim. Megjithatë, kontrollet e zyrtarëve doganorë zbuluan mallra të padeklaruara dhe të ndaluara – përkatësisht sasi të konsiderueshme eksplozivi – të vendosura në disa thasë dhe pako me peshë të përgjithshme rreth 300 kilogramë. Lënda e rrezikshme ishte e fshehur në bagazhin e furgonit dhe e kamufluar me pajisje peshkimi, me qëllim shmangien e detektimit.

Malli i gjetur është konfiskuar menjëherë, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK). Rasti më pas i është dorëzuar Policisë Kufitare, e cila ka marrë përsipër procedurat e mëtejshme ligjore.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e angazhuar fuqishëm në parandalimin e çdo forme të kontrabandës dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve. Institucioni thekson se përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv me agjencitë tjera të rendit, do të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e ligjit, duke garantuar integritetin dhe interesat e Republikës së Kosovës.