Studimi, i cili përfshiu 4442 të anketuar nga gjashtë vende të rajonit (Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), zbuloi se 42% e të anketuarve të rinj përdorin kanabis, ndjekur nga medikamentet antidepresive pa recetë (22%) dhe kokaina (21%).

Shifrat alarmante dhe arsyeja e përdorimit

Studimi zbuloi gjithashtu se më pak se 3% e të anketuarve kishin kërkuar trajtim për të ndaluar përdorimin e substancave narkotike, duke treguar një mungesë të madhe të ndërhyrjes dhe mbështetjes për këta të rinj. Arsyeja kryesore e përdorimit të drogës nga të rinjtë në Ballkanin Perëndimor është e ngjashme me atë të të rinjve evropianë, me argëtimin që kryeson listën për substanca si ekstazi, kokaina, amfetamina dhe ketamina.

Megjithatë, një pjesë e madhe e të rinjve që përdorin kanabis e bëjnë këtë për të reduktuar stresin ose për t’u çlodhur. Një fakt shqetësues është se rreth gjysma e atyre që përdorin heroinë e bëjnë këtë për shkak të varësisë.

Vendet e përdorimit dhe llojet e drogave

Shumica e substancave narkotike, si kanabisi, amfetamina, heroina dhe ketamina, përdoren në shtëpi. Ndërsa ekstazi përdoret kryesisht në festivale muzikore, kokaina preferohet në bare dhe klube.

Metodologjia e studimit

Anketa u zhvillua online në 30 gjuhë midis majit dhe korrikut të vitit 2024 dhe përfshiu mbi 66,000 evropianë nga 31 vende. Në Ballkanin Perëndimor, ky anketim u realizua për herë të dytë, me mbështetjen e Bashkimit Europian përmes projektit “IPA8”.