I pandehuri B.B. pranon fajësinë për vjedhje të çokollatave në vlerë 38 euro
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i pandehuri B.B. ka pranuar fajësinë për vjedhje të çokollatave në vlerë prej 38 euro në marketin “Viva Fresh Store”.
Foto: Ilustrim
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku, i akuzuari deklaroi shkurt: “E pranoj fajësinë për veprën penale.” Prokurori nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, ndërsa gjyqtarja e rastit, Vabonë Përlaska, aprovoi deklarimin e tij.
Prokurori Pashku kërkoi që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese gjatë caktimit të dënimit, ndërsa rrethanat rënduese ia la në diskrecion Gjykatës. Në anën tjetër, i akuzuari kërkoi një dënim sa më të butë, duke thënë se gjendja e tij ekonomike ka qenë shumë e vështirë.
“Kërkoj nga Gjykata një dënim sa më të butë, e kam pas gjendjen shumë të dobët, jam me dy fëmijë dhe gruan pa strehë, s’kam pas tjetër mundësi,” deklaroi ai në seancë.
Gjykata njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet në një datë tjetër. Në këtë seancë nuk ishte prezent asnjë përfaqësues nga pala e dëmtuar, ndonëse sipas Gjykatës, ata ishin njoftuar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 mars 2022, B.B. akuzohet se më 14 shkurt 2022, në marketin “Viva Fresh Store” në Prishtinë, ka marrë dy pako me çokollata, gjithsej 34 copë, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pa i paguar, duke shkaktuar dëm material prej 38 euro.
Për këtë veprim, ai po akuzohet për veprën penale “Vjedhje” nga neni 313, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.