Lidhur me mungesën e të akuzuarit Bukoshi, gjykatësi Rrahman Beqiri njoftoi palët në procedurë se kishte lëshuar urdhërarrest për ta sjellë atë në gjykatë. Megjithatë, sipas tij, Policia nuk e kishte gjetur të akuzuarin në adresën e dhënë.

Mbrojtësja e të akuzuarit Bukoshi, avokatja Dafina Osmani, e cila po e përfaqëson me autorizim avokatin Besnik Berisha, tha se klienti i saj është në regjim shtrati dhe gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.

Osmani shtoi se bashkëshortja e të akuzuarit e ka informuar mbrojtjen se Policia kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe ata e kishin parë që i akuzuari ishte në regjim shtrati për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke kërkuar që Gjykata të korrigjojë këtë informacion, raporton Betimi për Drejtësi.

“Gjithashtu, e njoftojmë gjykatën që bashkëshortja e zotëri Bujar Bukoshit më datë14 tetor 2024, ka dorëzuar një kërkesë te kryetarja e kësaj gjykate. E ka njoftuar gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj dhe ka kërkuar mirëkuptimin që të përdorë autoritetin e saj dhe të kërkojë që gjykatësi të ketë mirëkuptimin, që të shtyjë seancën me një afat të pacaktuar”, tha avokatja Osmani.

Kërkesën për shtyrjen e seancës dhe dokumentet e përkthyera mjekësore, avokatja Osmani ia dorëzoi gjykatësit Beqiri.