Tara ka kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar të shfaqë një dokument të vitit 2019, në të cilin ai pretendon se deklaratat e tij janë manipuluar nga hetuesit.
Sipas Tarës, ky dokument i një interviste të gjatë me hetuesit e Speciales, që ka zgjatur 32 orë, nuk i është treguar kurrë atij. Ai thotë se nuk e ka nënshkruar atë dokument dhe se ai e paraqet atë si “tradhtar”, duke rrezikuar atë dhe familjen e tij 10-anëtarëshe. Madje, ai pretendon se dokumenti “e ka njollosur edhe UÇK-në”.
Gjatë seancës, Tara ka insistuar që dokumenti të shqyrtohet para se ai të vazhdojë me dëshminë. Ai ka deklaruar se nuk i beson gjykatës dhe se dokumenti është ndryshuar. “Prej këtu nuk i besoj asgjë kësaj gjykate, nuk është dokument që unë e kërkoj, ma keni ndërruar dokumentin,” tha Tara. Ai shtoi se dokumenti është i nënshkruar nga intervistuesit e tij të vitit 2019, pa dijeninë dhe nënshkrimin e tij.
Prokurorja Vega Iodice ka premtuar se dokumenti do t’i tregohet dëshmitarit në momentin e duhur, por ka kërkuar që ai të vazhdojë me pyetjet. Megjithatë, Tara ka refuzuar, duke thënë se nuk do të flasë pa u shqyrtuar dokumenti.
Gjykatësi ka paralajmëruar Tarën se refuzimi për të dëshmuar mund të rezultojë në procedura të tjera, përfshirë gjoba. Por Tara ka insistuar se “edhe po të vritem nuk flas më, pa u shqyrtuar dokumenti në fjalë”.
Pas kësaj, prokurorja ka hequr dorë nga marrja në pyetje. Mbrojtësit kanë kërkuar që dëshmitarit t’i shqiptohet masë për mosbindje, duke theksuar se kjo do të dërgonte një mesazh të gabuar për dëshmitarët e tjerë.
Prokurorja Iodice ka kërkuar pranimin e deklaratave të mëparshme të Tarës, por ka shtuar se do ta parashtrojë këtë kërkesë me shkrim.