Arrestohet mësuesi nga Prizreni i dyshuar për pedofili

28.04.2022

Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi. Gashi për Telegrafin ka konfirmuar se mësuesi F.K me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. “Po ju konfirmoj se i dyshuari F.K është arrestuar dhe shoqëruar në polici. I njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit ndalohet për 48 […]

Arrestohet mësuesi nga Prizreni i dyshuar për pedofili Foto: Ilustrim

Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi për Telegrafin ka konfirmuar se mësuesi F.K me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

“Po ju konfirmoj se i dyshuari F.K është arrestuar dhe shoqëruar në polici. I njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit ndalohet për 48 orë. Rasti po hetohet nga hetuesit rajonalë”, tha Gashi.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme përmes një komunikate për media Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës – Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren, për mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave lidhur me rastin e profesorit me inicialet F.K., pas raportimit të Abc News Albania në emisionin “Piranjat” të datës 26.04.2022.

Prokuroria Themelore në Prizren kishte njoftuar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të këtij rasti, konform dispozitave ligjore në fuqi.

Emisioni në fjalë, ra në gjurmë të pedofilit 70-vjeçar nga Prizreni, me profesion mësues përmes një prezantimi në rrjetet sociale. Për ta vënë në grackë ‘agjentja” e ‘Piranjave’, hap një adresë false në rrjetet sociale duke u shtirur si adoleshente me emrin Kejsi.

Kaq ka mjaftuar që mësuesi t’i bëjë kërkesë miqësie adoleshentes, më pas të nisë me të bisedat erotike dhe të lënë një takim në qytetin e Prizrenit.