Aksidenti në Peqan ku mbeti i vdekur 22 vjeçari, propozohet marrëveshja për pranim të fajësisë ndaj të akuzuarit

08.04.2022

Nga seanca e kaluar, mbrojtësi i të akuzuarit K.G, avokat Miftar Qelaj  gjykatës i kishte se kanë siguruar një ekspertizë të një eksperti të pavarur, i cili atë e ka bërë mbi bazën e shkresave të lëndës dhe se pas daljes në terren, ka konstatuar një gjendje tjetër faktike nga ajo që ka konstatuar eksperti […]

Aksidenti në Peqan ku mbeti i vdekur 22 vjeçari, propozohet marrëveshja për pranim të fajësisë ndaj të akuzuarit Foto: Ilustrim

Nga seanca e kaluar, mbrojtësi i të akuzuarit K.G, avokat Miftar Qelaj  gjykatës i kishte se kanë siguruar një ekspertizë të një eksperti të pavarur, i cili atë e ka bërë mbi bazën e shkresave të lëndës dhe se pas daljes në terren, ka konstatuar një gjendje tjetër faktike nga ajo që ka konstatuar eksperti tjetër, e për këtë ka propozuar që të dëgjohet si ekspert që të jap sqarime të tjera.

Për këtë eksperti i komunikacionit Bardhyl Abazi i propozuar nga mbrojtja në seancën e sotme deklaroi se mbetet pranë ekspertizës së punuar më dt. 29.11.2021 dhe tha se pas daljes në terren dhe shkresave të lëndës ka konstatuar se pika e goditjes në rrugë është 0.10 metra në shiritin e majtë të drejtimit të lëvizjes së automjetit B, pra në shiritin e motoçikletës apo në shiritin e kundërt të drejtimit të lëvizjes së automjetit A.

Ai shtoi se edhe pse në rrugën ku ka ndodhur aksidenti nuk ka pasur shenja vertikale dhe horizontale, për të dy drejtuesit e automjetit rruga në fjalë ka qënë e njohur andaj që të dy kanë pasur obligim që të mbajnë distancën anësore të nevojshme.

Eksperti tha se sipas rregullave të komunikacionit nëse rruga është e pajisur me sinjalizim adekuat horizontal, çdo drejtues i automjetit ka obligim që të lëviz sa më afër skajit të djathtë të rrugës, dhe se në rastin konkret nuk ka ekzistuar sinjalizimi horizontal, andaj që të dy, sikurse drejtuesi i motoçikletës A dhe automjetit B kanë qënë të obliguar që të lëvizin sa më afër skajit të djathtë të rrugës.

Prokurorja e shtetit, Ervehe Gashi deklaroi se në këtë lëndë kanë dy ekspertiza të komunikacionit, njëra nga ana e prokurorisë dhe tjetra nga ana e mbrojtjes të cilat ekspertiza nuk janë në përputhshmëri me njëra tjetrën sa i përket mendimit përfundimtar, andaj propozoi që të bëhet një super ekspertizë e cila duhet të punohet nga një grup ekspertësh të çështjes.

Po ashtu propozoi që në cilësi të ekspertit të ftohet për tu dëgjuar toksikologu i cekur në raportin e autopsisë së Institutit të mjekësisë ligjore Mr. Nardi Sheqergjiu që të sqaroj rrethanat e përqindjes së shprehur në promila të alkoolit në gjak dhe gjendjes së dehur për të dy pjesëmarrësit në komunikacion.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit K.G, avokat Miftar Qelaj kundërshtoi propozimin e prokurores së shtetit për të siguruar një super ekspertizë ngase të dy ekspertët kanë rezultuar se në rastin konkret ka përgjegjësi të ndarë e për këtë arsye kërkoi nga prokuroria që ju mundësojë për të negociuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë mbi bazën e këtyre dy ekspertizave e që për këtë kanë propozuar edhe më herët që të arrihet një marrëveshje e tillë.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi  konstatoi se meqenëse edhe më herët mbrojtja ka propozuar që të arrihet një marrëveshje për pranimin e fajësisë e edhe në seancën e sotme deklaroi të njëjtën, ka obliguar prokurorinë që në afat prej 3 javësh të negociojë me avokatin mbrojtës dhe të akuzuarin që të arrihet një marrëveshje eventuale.

Seanca e radhës do të caktohet eventualisht se a do të ketë marrëveshje dhe nëse jo, atëherë gjykata do të angazhojë grupin e ekspertëve për përpilimin e ekspertizës së komunikacionit.

Prokuroria Themelore në Prizren më 9 nëntor 2021 ka përpiluar aktakuzë kundër K.G, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 371, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, Gashi më 12 shtator 2021, rreth orës 22:00, në rrugën lokale Suharekë – fshati Peqan, ka drejtuar automjetin e markës “VW Transporter”, në gjendje e paaftë, në ndikim të alkoolit, dhe shkakton aksident në komunikacion rrugor që rezulton me vdekjen e A.B.

Në aktin akuzues thuhet se Gashi derisa ka qene duke e drejtuar automjetin e cekur si më lartë, duke lëvizur ne rrugën me përpjetë dhe me kthesë në të djathtë, me një pjesë te kamionetës del në shiritin e majtë të drejtimit të lëvizjes, ndërsa në atë moment në atë shirit nga ana e kundërt ka qenë duke lëvizur motoçikleta “Scooter”, të cilën ka qenë duke e drejtuar tani i ndjeri A.B.

Aty thuhet se më atë rast vjen deri te goditja me pjesën e përparme të anës së majtë të kamionetës të cilën e drejtonte i pandehuri, me dorezën e anës së majtë te motoçikletës te cilën e drejtonte këtu tani i ndjeri A.B.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se si pasojë e goditjes, A.B. rrëzohet dhe përfundon jashtë rruge, ne të djathtë të rrugës. Me këtë veprim thuhet se Gashi shkakton aksident që rezulton me vdekjen e tani të ndjerit A.B., ku shkaku i vdekjes së të njëjtit si pasojë e aksidentit ne trafik është konstatuar ne bazë te raportit të autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të datës 13 shtator 2021. /BetimipërDrejtësi