Policia e Kosovës çdo ditë përballet me raste të ndryshme të cilat raportohen nga qytetarët, e ku në shumicën e rasteve ata përballen edhe me të dyshuarit të cilët kryejnë vepra të ndryshme penale.

Gjatë ditës së premte Policia e Kosovës bën të ditur se ka arrestuar 28 persona, shkruan SuharekaOnline.

Poashtu, në 24 orëshin e fundit policia njofton se 17 persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje dhe dy të tjetër është dërguar në vuajtje të dënimit.

Raporti i policisë përmbanë edhe arsyet e arrestimeve të personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Policia e Kosovës në Prizren ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Posedim i narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje”.

Policia e Kosovës në Prizren bën të ditur se gjatë një kontrolli tek dy të dyshuarit janë gjetur 9 qese të cilat dyshohet se kishin substancë narkotike të llojit marihuanë dhe një thikë.

Poashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë njërit prej të dyshuarve thuhet se janë gjetur 52 qese marihuanë në peshë prej 52.45 gram.

“Rr. Enver  Haradinaj –Marash, Prizren (NN) 04.08.2023-23:02. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj  kosovarë pasi që gjatë kontrollit të njëjtëve u janë gjetur dhe konfiskuar: 9 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë 7.28 gram dhe një thikë ndërsa gjatë kontrollit  në shtëpinë njërit prej tyre janë gjetur: 52 qese me narkotike të llojit marihuanë në peshë 52.45 gram . Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftimin e policisë.