Janë rreth 234 raste të personave të zhdukur që janë raportuar në Policinë e Kosovës për gjatë vitit 2019.
Rasti që bëri më shumti bujë ishte ajo e Remzije Mustafës, 59 vjeçares nga Prishtina e cila ishte raportuar si e zhdukur që nga data 6 nëntor.
E lidhur me këtë numër të madh të të zhdukurve njohësi i sigurisë në Kosovë, Avni Islami thotë se kjo dukuri nuk e ka prekur vetëm Kosovën. Sipas tij ky fenomen nuk duhet të jetë shqetësues vetëm për organet e sigurisë në Kosovë por edhe për gjithë shoqërinë kosovare.
Shkaktari kryesor i cili shpije drejt këtij fenomeni në shoqërinë tonë sipas Islamit është faktori ekonomik-social. Islami thotë se rritja e sigurisë përmes shtimit të kamerave nëpër rrugët kryesore e rrit edhe sigurinë në vend, dhe i parandalon këto raste të zhdukjes së njerëzve.
“Seriozisht ky fenomen pra i zhdukjes së të rinjve por edhe moshave të tjera është paksa shqetësues kur në mediat tona dëgjohet se është zhdukur një vajzë apo djalë apo moshave të ndryshme dhe në të shumtën e rasteve kemi parë që kanë ndodhur kidnapime për shkaqe të ndryshme dhe kësisoj në pamjen e parë duket se Kosova nuk është vend i sigurt , duke pas parasysh se jo menjëherë gjenden ata persona….Mendoj se Kosova është vend i sigurt dhe nuk ka vend për panik, por duke e pasur parasysh se gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike e ka bërë të vetën dhe ka raste kur kryejnë vetëvrasje dhe pastaj gjinden në një kohë shumë më të vonshme…Duhet të shtohen kontrollet në përgjithësi të kemi të vendosura nëpër objektet vitale dhe në rrugët kryesore kamerat e sigurisë dhe në një mënyrë kësaj do i ndihmonte dhe shoqëria civile në mënyrë që mos të ndodhin rastet e tilla”, tha ai.
Fenomenin e personave të zhdukur për KosovaPress e ka shpjeguar edhe sociologu, Fadil Maloku sipas të cilit kriza morale dhe ekonomike në të cilën po kalon Kosova po i sjell edhe pasojat si kjo e zhdukjes së personave.
Në bazë të dhënave në Policinë e Kosovës numri më i madh i rasteve të raportuara si persona të zhdukur është bërë në rajonin e Prishtinës, ku në këtë periudhë të vitit janë raportuar gjithsej 76 raste, e dyta radhitet rajoni i Pejës me 46 raste, e pasuar nga ai i Prizrenit me 34 raste, pastaj rajoni i Gjakovës me 27 raste, ai i Gjilanit me 22 raste, ndërsa në pjesën jugore të Mitrovicës u raportuan vetëm 19 raste si persona të zhdukur.