​Tremujori i parë i vitit, rreth 62 për qind më shumë gjoba në trafik se vitin e kaluar

16.04.2022

Policia e Kosovës me qëllim të vetëdijesimit po shqipton edhe gjoba ndaj shoferëve që nuk po i respektojnë rregullat në komunikacion. Madje, numri i tiketave të trafikut të shqiptuara nga ana e policisë është rritur ndjeshëm gjatë këtij tremujori të parë të vitit aktual. Nënkolonel Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor ka bërë […]

​Tremujori i parë i vitit, rreth 62 për qind më shumë gjoba në trafik se vitin e kaluar Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës me qëllim të vetëdijesimit po shqipton edhe gjoba ndaj shoferëve që nuk po i respektojnë rregullat në komunikacion.

Madje, numri i tiketave të trafikut të shqiptuara nga ana e policisë është rritur ndjeshëm gjatë këtij tremujori të parë të vitit aktual.

Nënkolonel Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor ka bërë të ditur se për 62 për qind (%) është rritur këtë vit numri i gjobave të shqiptuara ndaj pjesëmarrësve në trafik për mosrespektim të rregullave.

Rexhepi për KosovaPress ka thënë se që nga fillimi i këtij viti, Policia ka qenë aktive si në prezencë policore ashtu edhe në zbatim të planeve operative të ndryshme.

“Duke marrë parasysh gjendjen e sigurisë në trafikun rrugor, Policia e Kosovës që nga fillimi i vitit ka qenë aktive në prezencë policore dhe në zbatim të planeve operative të ndryshme të cilat kanë për qëllim apo kanë pasur për qëllim vetëdijesimin dhe sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafikun rrugor”, shtoi ai.

Po ashtu, ai ka dhënë statistika për tremujorin e parë të vitit aktual dhe vitit paraprak (2021), ku ka bërë të ditur se policia në këtë tremujor ka shqiptuar rreth 160 mijë gjoba për kundërvajtje në trafikun rrugor, kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 98 mijë gjoba trafiku të shqiptuara.

“Për këtë arsye në qofte se i marrim këto aktivitete dhe shohim se sa ka punuar policia e Kosovës, i bie që Policia e Kosovës në këtë tre mujor ka shqyrtuar rreth 160 mijë gjoba për kundërvajtje në trafikun rrugor, ndërsa periudhën e njëjte në vitin e kaluar kanë qenë 98 mijë gjoba në trafik. Me përqindje rreth 62% më shumë gjoba sesa periudha e njëjtë të vitit kaluar”, theksoi Rexhepi.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë, policia ka shqiptuar hiç më pak se 2 mijë e 30 tiketa trafiku, ndërsa brenda kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 70 aksidente, ku dy prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.