Zyrtare: Ndeshja kthyese Serbi-Shqipëri zhvillohet në Beograd, masat e sigurisë rriten
Është konfirmuar zyrtarisht se ndeshja e kthimit mes Serbisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd.
Federata e Futbollit të Serbisë ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet për një zhvendosje të mundshme të ndeshjes në Leskoc, e cila ishte diskutuar për arsye sigurie, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ndeshja Serbi-Angli do të zhvillohet zyrtarisht në stadiumin Rajko Mitiq në Beograd dhe jo në Leskoc. Ne gjithashtu do ta presim Shqipërinë në stadiumin Rajko Mitiq,” thuhet në deklaratën e Federatës, e cituar nga Klan Kosova.
Kjo ndeshje, pjesë e fazës kualifikuese, pritet me interes të lartë pas barazimit 0-0 që u regjistrua në takimin e parë mes dy kombëtareve në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”.
Autoritetet serbe pritet të marrin masa të shtuara sigurie për të garantuar një ndeshje të qetë dhe pa incidente.