Zyrtare, deputetja Doarsa Kica kalon në LDK, e prezanton Lumir Abdixhiku

08.09.2022

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka zyrtarizuar kalimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili në LDK. Ai ka thënë se shkuarja në LDK e deputetes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosja nga “Lista Guxo” është vlerë dhe se për këtë janë të lumtur të gjithë. Abdixhiku ka lavdëruar Kica-Xhelilin duke e cilësuar se është në mesin […]

Zyrtare, deputetja Doarsa Kica kalon në LDK, e prezanton Lumir Abdixhiku Foto: Ilustrim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka zyrtarizuar kalimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili në LDK.

Ai ka thënë se shkuarja në LDK e deputetes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosja nga “Lista Guxo” është vlerë dhe se për këtë janë të lumtur të gjithë.

Abdixhiku ka lavdëruar Kica-Xhelilin duke e cilësuar se është në mesin e më të mirëve të vendit me të cilët thotë se duan të vazhdojnë rrugëtimin e partisë.

“Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë. Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik”.

“Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”.

Abdixhiku njoftimit për shkuarjen e Kicës në LDK ia ka bashkëngjitur edhe biografinë e saj të cilën e gjeni më poshtë:

Doarsa Kica-Xhelili ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Si bursiste e Loyola University në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim, në qendrën e këtij universiteti në Romë. Doarsa, përveçse aktiviste e shoqërisë civile, ishte dhe avokate e shquar brenda dhe jashtë Kosovës. Përvoja e saj në këtë drejtim, e bën atë një aset të çmuar të shoqërisë sonë.

Përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit. Puna e saj aktive dhe profesionale në komisione dhe në publik, ka shtyrë përpara nisma që kanë marrë mbështetje të gjerë qytetare në vazhdimësi.

Doarsa jeton në Prishtinë; është e martuar dhe nënë e një vajze.