11.09.2019, 15:36

Zyra për kategoritë e dala nga lufta mohon se lëshon certifikata për statusin e veteranit

Pas reagimit të OVL e UÇK-së lidhur me keqpërdorimin e statutit të veranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku bëhet e ditur se ende janë duke u lëshuar certifikata të veteranëve të UÇK-së.

Po ashtu, OVL së bashku me reagim kishte kërkuar edhe nga Zyra për Kategoritë e Dala nga Lufta në kuadër të Zyrës së Kryeministrit që të parandalojë dukurinë e lëshimit të certifikatave.

Zyra për Kategoritë e Dala nga Lufta që funksionon në kuadër të kryeministrisë, ka reaguar ndaj deklaratës së OVL-së së UÇK-së lidhur me pretendimet e kësaj të fundit se po vazhdon lëshimi i certifikatave të veteranëve.

Drejtori i Zyrës së Kategorive të dala nga lufta, Gazmen Syla përmes një reagimi tha se është mandatë i Komisionit që të konstatohet statusi i dëshmorit, invalidit, veteranit si dhe pjestarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Po ashtu Zyra për Kategoritë e Dala nga Lufta që funksionon në kuadër të kryeministrisë ka bërë të ditur se të vetmet ceritifikata që janë shtypur, janë të veteranëve-pjesëtar dhe veteran-pjesëmarrës.

Reagimi i plotë nga Zyra për Kategoritë e Dala nga Lufta në kuadër të kryeministrisë:

Duke u bazuar në ligj dhe rregullore, sqaroj si në vijim: Është mandat i Komisionit që të konstatojë Statusin e dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të UÇK-së.

Përgjegjësitë e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr. 04/L-054; dhe ajo nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni. Komisioni, pjesë e të cilit unë nuk kam qenë fare, nuk ka më mandat, që nga janari 2017, ndërkohë që tërë arkivi gjendet në Prokurorinë e Shtetit për interes të hetimeve.

Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë, janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike.

Gjatë mandatit tim si drejtor i ZÇKL, kam qenë shumë korrekt dhe bashkëpunues me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe kërkoj nga ta, që të mos e përdorin situatën parazgjedhore, për të lëshuar komunikata me qëllime thjeshtë politike.

Përkundër asaj që pretendohet, Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së ka bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. Kjo mbase i ka penguar dikujt. Shpresojmë që jo Shoqatave.

LEXO EDHE:  BE: Është koha që kosovarëve t`u hiqen vizat
© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.